Asamblisti kërkon hedhjen e aktakuzës që e ngarkon për mosdeklarim të pasurisë dhe uzurpim të pronës komunale në Deçan
Raporton: Driton NOCAJ
Deçan– Asamblisti nga radhët e AAK-së në Kuvendin Komunal të Deçanit, Mehmet Osaj, përmes mbrojtësit të tij, avokatit Daut Cacaj, ka kërkuar që aktakuza ndaj tij të cilin e ngarkon për mosdeklarim të pasurisë dhe uzurpim të pronës komunale, të hedhet poshtë.
Një kërkesë të tillë, i pandehuri Osaj e bëri në dy procese të ndara pranë Gjykatës së Deçanit, gjatë fazës së shqyrtimit të dytë, nën udhëheqjen e gjykatësit Sulltan Dobraj.
I pandehuri parashtroi para gjykatës se aktakuza nuk ishte e bazuar për shkak se ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe Prokuroria nuk kishte prova për të mbështetur dyshimin e bazuar.
Në anën tjetër, prokurorja e rastit, Suada Hamza argumentoi para gjykatës se aktakuza e ngritur ndaj të pandehurit ishte e bazuar në prova dhe nuk kishte asnjë rrethanë që përjashtonte përgjegjësinë penale të pandehurit Osaj.
“Aktakuza është ngritur mbi bazën e provave të vlefshme e me të cilat vërtetohet gjendja faktike si në aktakuzë. Propozoj që provat të shpallen të vlefshme dhe aktakuza të merr formën e prerë”, tha prokurorja Hamza ndaj pretendimeve të mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave.
Gjykatësi Dobraj tha se lidhur me kërkesën e mbrojtjes të pandehurit do të vendos brenda afatit ligjor, ndaj të cilit vendin palët do të kenë të drejtën e ankesës.
Ndryshe, i pandehuri Osaj refuzoi të aplikonte mundësinë e ndërmjetësimit si mënyrë alternative sa i përket veprës penale të uzurpimit të pronës komunale, pasi u njoftua nga gjykatësi Dobraj për këtë drejtë.
I pandehuri Osaj ishte deklaruar i pafajshëm në lidhje me dy akuzat e Prokurorisë së Pejës për mosdeklarim të pasurisë dhe uzurpim të pronës komunale.
Asamblisti deklarohet i pafajshëm për korrupsion dhe uzurpim të pronës komunale
Ndryshe, sipas aktakzuës 3 gusht 2021, nga Prokuroria e Pejës, i pandehuri Osaj akuzohet se më 20 prill 2021, në Kuvendin Komunal të Deçanit, si zyrtar i lartë publik, si këshilltar i Asamblesë Komunale në Deçan, nuk e deklaron pasurinë gjatë periudhës 1 mars deri më 31 mars 2021, për të cilën ishte i njoftuar dhe detyruar të bëjë, mirëpo i njëjti sipas aktakuzës, e deklaron pas afatit ligjor, dhe atë me datën 20 prill 2021.
Me këtë ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430 par.1 të KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi me gjobë ose burgim deri në 3 vite.
Ndryshe, sipas aktakuzës të ngritur më 11 gusht 2021, Prokuroria e Pejës e ngarkon të pandehurin Osaj se më parë e deri më 1 prill 2021, në kohë të panjohur në Deçan, në vendin e quajtur “Podi i Gështënjave”, në mënyrë të kundërligjshme uzurpon pronën e paluajtshme përkatësisht parcelën me sipërfaqe prej 23036 metër katror të Komunës së Deçanit. Sipas aktakuzës i pandehuri duke qenë në dijeni se prona është në pronësi të Komunës së Deçanit, i njëjti e rrethon me tela dhe në brendi të saj mbjellë pemë të llojeve të ndryshme, kështu duke ia pamundësuar të dëmtuarës shfrytëzimin e plotë dhe të lirë të kësaj pronë.
Për këtë ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme”, nga neni 320 par.1 të KPRK-së, për të cilin parashihet dënimi me gjobë ose burgim deri në 2 vite./BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.