Asamblisti i LDK-së në Kamenicë dënohet me 1 mijë e 200 euro gjobë, nuk e deklaroi biznesin e djalit të tij

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Sejdi Kurteshi, asamblist i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), në Komunën e Kamenicës, është dënuar me 1 mijë e 200 euro gjobë për mosraportim të pasurisë.

Aktgjykimi ndaj Kurteshit u shpall të enjten nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, Sadri Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, i akuzuari Kurteshi paraprakisht me avokatin e tij, Selami Rexhepi, më 28 qershor të këtij viti, kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan për pranimin e fajësisë, e cila marrëveshje është aprovuar nga gjykata në fjalë.

Sipas kësaj marrëveshjeje, fillimisht Kurteshi është dënuar me 300 euro gjobë dhe tre muaj burgim, me ç’rast dënimi me burgim me pëlqimin e tij i është zëvendësuar me 900 euro gjobë, në total 1 mijë e 200 euro gjobë.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 16 maj 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj Sejdi Kurteshit, me arsyetimin se ai nga 1 deri më 31 mars 2021, në cilësinë e Këshilltarit të Asamblesë Komunale në Kamenicë, ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2020, mirëpo i njëjti këtë nuk e ka bërë.

Sipas prokurorisë, Kurteshi nuk i ka paraqitur të dhënat e sakta, duke mos shënuar në formularin e deklarimit të pasurisë biznesin e djalit të tij T.K., “Kashmiri” Sh.P.K., i vërtetuar nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë (ARBK) dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK).

Me këtë, Sejdi Kurteshi akuzohej se ka kryer veprën penale “Mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare”, nga neni 430, paragrafi 2 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë