AS PAS RRETH 4 VITEVE, PROKURORIA NUK E KA PRECIZUAR PROPOZIM AKUZËN PËR 50 EURO RYSHFET

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka qenë e paraparë që të mbahet shqyrtimi kryesor ndaj të akuzuarit, Agim Vershevci për veprën penale marrje ryshfeti. Mirëpo, në mungesë të prokurorit, kryetares së trupit gjykues, Nora Bllacës ju desh që ta shtyej seancën për një datë tjetër. Bllaca e njoftoj të akuzuarin që Prokuroria Themelore në Prishtinë kishte pranuar ftesën me datë 15 mars për ta prezantuar propozim akuzën në këtë seancë. Megjithatë, prokurori i çështjes nuk u paraqit në seancën e së premtes, madje prokuroria as nuk e ka arsyetuar këtë mungesë. Edhe pse propozim akuza u përpilua në nëntor të vitit 2011, prokuroria ende nuk e ka bërë precizimin e saj.  Në propozim akuzën e Prokurorisë së atëhershme Komunale në Prishtinë, nuk figuron neni i veprës penale për të cilën ngarkohet i akuzuari Vershevci.

Në këtë akuzë ishte i përfshirë edhe qytetari Shkumbin Blakaj për veprën penale dhënie ryshfeti, për të cilin vepra është parashkruar dhe procedura vazhdon vetëm për të akuzuarin Agim Vershevcin. Sipas gjykatës, zvarritja e këtij procesi dhe parashkrimi ndodhi si pasojë e mungesës së të pandehurit Blakaj, i cili ndodhej në Austri.  Ndërkaq, i pandehuri Agim Vershevci akuzohet se ka marrë ryshfet nga Blakaj, në vlerë prej 50 euro në cilësinë e policit. Sipas propozim akuzës në gusht të vitit 2011, Vershevci në një pikë kontrolli në fshatin Shtedin të  Komunës së Podujevës kishte ndaluar veturën e Shkumbin Blakajt, me arsyetimin se kishte tejkaluar shpejtësinë dhe nga ai ka marrë 50 euro ryshfet. Këtë veprim ai e kishte arsyetuar se gjoja po e falte, pa lëshuar asnjë dokument për marren e të hollave.

Në seancën e rradhës e cila u caktua më 17 maj të këtij viti, pritet që të bëhet precizimi i propozim akuzës dhe të shqyrtohen provat.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë