Arsyetimi i vendimit të KPMSHCK-së për kthimin në rivendosje të vendimit për shkarkim të ish-drejtorit të KPK-së
Raporton: Mirvet THAQI
Prishtinë – Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës (KPMSHCK) ka shfuqizuar vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), me të cilin i ishte ndërprerë marrëdhënia e punës ish-drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK, Lavdim Krasniqi.
KPMSHCK duke aprovuar si të bazuar ankesën e ish-drejtorit Krasniqi, këtë çështje e ka kthyer në rishqyrtim dhe rivendosje te KPK, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në vendimin e KPMSHCK -së të marrë më 1 dhjetor 2021, thuhet se arsyetimi i vendimit për ndërprerje të marrëdhënies së punës së Krasniqit është i mangët dhe i pamjaftueshëm, pasi që i njëjti nuk përmban bazën ligjore të vendimit dhe arsyen pse është e zbatueshme në rastin konkret.
Sipas vendimit, organi i punësimit me rastin e përcaktimit të përgjegjësisë disiplinore ndaj ankuesit ka përcaktuar se ankuesi ka bërë shkelje të rëndë disiplinore, mirëpo që në rastin konkret nuk është bërë kualifikimi i shkeljeve disiplinore në mënyrë specifike.
Tutje, në arsyetim të vendimit të KPMSHCK-së thuhet se vendimi për ndërprerje të marrëdhënies së punës nuk përmban pjesën përmbyllëse lidhur me ushtrimin e mjeteve juridike, si element i detyrueshëm i aktit administrativ.
Më pas, kolegji i KPMSHCK-së ka konstatuar se anëtarët e komisionit hetimor në rastin konkret kanë vepruar edhe si anëtarë të komisionit disiplinor për përcaktimin e përgjegjësisë disiplinore dhe kjo sipas tyre, bie ndesh me nenin 29 paragrafi 1, nën par. 1.3 të Ligjit për procedurën e përgjithshme administrative.
KPMSHCK ka gjetur se komisioni disiplinor ka shpallur përgjegjës ankuesin edhe për çështjen e Kontratës së tenderit “Furnizim me mobilie ekskluzive për kabinetin e kryesuesit të KPK-së”, për të cilën çështje është duke u zhvilluar procedurë penale. Në rrethana të tilla, ky kolegj vlerëson se shkelja disiplinore si më lartë nuk mund të jetë objekt shqyrtimi në procedurë disiplinore deri në një vendim përfundimtar të gjykatës.
Në fund të këtij vendimi për kthim të kësaj çështje në rivendosje, thuhet se KPK duhet t’i marr parasysh pikëpamjet juridike dhe t’i eliminoj të metat e konstatuara sipas këtij vendimi.
Ata po akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, ushtrim të ndikimit, falsifikim të dokumenteve, mos raportim ose raportim i rremë i pasurisë, të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare dhe blerje, pranim ose fshehje e sendeve të përfituar me kryerjen e veprës penale.
Në drejtim të pandehurit Lavdim Krasniqi është hudhur poshtë aktakuza dhe pushohet procedura penale për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën IV.
Si dhe për veprat penale në bashkëkryerje “Keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar” nga neni 414, par 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si në pikën V të dispozitivit të aktakuzës.
Sipas vendimit, për këto dy pika të aktakuzës është marrë vendimi për hudhje të tyre ,për shkak të mungesës së provave për dyshimin e bazuar mirë se i akuzuari ka kryer këto vepra.
Ndërkaq, për të akuzuarën Marigona Berisha është hudhur poshtë aktakuza dhe pushon procedura penale për veprën penale “Blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale” nga neni 333, par.1 të KPRK-së, si në pikën VI të dispozitivit.
Për këtë pikë të aktakuzës ndaj të akuzuarës Berisha është marrë vendim për hudhje të saj, për shkak të mungesës së aktvendimit për fillimin apo zgjerimin e hetimeve.
Kurse, gjykata ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes së Lavdim Krasniqit për hudhje të aktakuzës lidhur me veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së dhe “Mosraportim ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare” nga neni 430, par.2 të KPRK-së.
Tutje, ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj Ardian Krasniqit për veprat penale në vazhdimësi dhe bashkëkryerje “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së si dhe veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve” nga neni 390, par.1 të KPRK-së.
Për Marigona Berishën, ka mbetur në fuqi pika e akuzës ku ngarkohet për “Falsifikim të dokumenteve” nga neni 390, par.1 i KPRK-së. Ndërsa, për Flora Dodën, vepra penale për “Keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, par.2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.