Arsyetimi i shkallës së parë për lirimin e ish-kryetarit të Drenasit dhe ish-drejtorit të Arsimit nga akuza për korrupsion

Demaku
Author

Raporton: Sabina PERGEGA        

Mars 18, 2020

Prishtinë – Me arsyetimin se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprën penale, Gjykata Themelore në Prishtinë, me 28 janar të këtij viti, i kishte liruar nga akuza për keqpërdorim detyre ish-kryetarin e Drenasit, Nexhat Demakun dhe ish-drejtorin e Arsimit në këtë komunë, Sadik Tahiraj.

Demaku akuzohej se ia kishte lëshuar akt-emërimin punëtores Berisha, në pozitën inspektore e tregut, pa shpallur konkurs publik, pa iu nënshkruar procedurave të rekrutimit, duke i sjell përfitim pasuror në vlerë prej 18,309.01 euro, me ç’rast e kishte dëmtuar edhe buxhetin e komunës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndërsa, Tahiraj akuzohej se kësaj punëtoreje ia kishte lëshuar kontratën e punës për edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, ku më pas ia kishte lëshuar asaj edhe vendimin për transferim në Drejtorinë e Inspeksionit, si inspektore e tregut, duke e dëmtuar buxhetin e komunës në vlerë 756.18 euro.

Aktgjykimi ndaj tyre ishte shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shpresa Hasaj-Hyseni.

Në arsyetimin e kësaj gjykate të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se gjykata pas vlerësimit të shkresave të lëndës, dëgjimit të përfaqësuesit të të dëmtuarës, deklaratave të dëshmitareve si dhe administrimit të provave materiale, nuk kishte arritur të vërtetojë se të akuzuarit ishin kryes të veprave penale.

Sipas gjykatës, përfaqësuesi i Komunës së Drenasit, Bujar Plakiqi kishte vërtetuar se i njëjti kishte pasur njohuri për punësimin e punëtores Mimoza Berisha si në shkollë fillore ashtu edhe në Drejtorinë e Inspeksionit si inspektore e tregut dhe se kryetari i komunës kishte stafin e tij mbështetës që merrej me këto punë dhe se nuk ishte përgjegjësi e tij të merret me punësimin e shërbyesve civil.

Po ashtu, sipas gjykatës, nëpunësit civil nuk i zgjedh kryetari i komunës por komisioni dhe me rastin e punësimit të punëtorëve merrej udhëheqësi i personelit, i cili pas përgatitjeve të dosjeve të të punësuarve i dërgon për nënshkrim apo aprovim te kryetari.

Gjykata në arsyetimin e saj, lirimin e të akuzuarve nga aktakuza e ka mbështetur edhe në bazë të deklaratës së dëshmitares Mimoza Berisha, e cila kishte deklaruar se fillimisht në pozitën e edukatores kishte punuar 4 muaj, ndërsa ishte paguar vetëm për dy muaj, e pastaj kishte ushtruar kërkesë me shkrim për të kaluar si inspektore e tregut, e cila kërkesë kishte deklaruar se ia kishte aprovuar kryetari i atëhershëm.

Sipas gjykatës edhe dëshmitari Hakif Hasi, i cili kishte punuar në pozitën e avokatit publik komunal, kishte deklaruar se në rastin konkret nuk ishte dëmtuar komuna dhe se kompensimi i punëtores ishte bërë në baza mujore dhe në emër të kompensimit të të ardhurave për punën që e kishte kryer.

“Gjykata ka bërë vlerësimin e deklarimeve të të akuzuarve për të cilat konsideron se janë mjaft bindëse dhe pa dyshim vërtetojnë se në veprimet e tyre nuk ekziston asnjë elementi i veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”, thuhet në arsyetimin e këtij aktgjykimi.

Sipas gjykatës, për të ekzistuar vepra penale keqpërdorim detyre duhet të ekzistojë dashja direkte, e cila në asnjë provë materiale apo me dëgjimin e dëshmitarëve nuk ishte vërtetuar, dhe se me veprimet e të akuzuarve nuk kishte pasur kurrfarë dobie pasurore pa bazë ligjore.

“Atëherë rrjedh pyetja ku është dëmi i shkaktuar, për çka pretendon Komuna e Drenasit. Nëse më të vërtetë Komuna pretendon se është dëmtuar me punësimin e punëtores Mimoza Berisha dhe pas largimit të kryetarit në vitin 2016, pse nuk ndërmori asnjë veprim për inicimin e çfarëdo procedure tjetër lidhur me punësimin e saj deri në vitin 2018, kur i skadoi kontrata e punës dhe të njëjtën e ka larguar nga puna”, thuhet më tutje në arsyetimin e aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, sipas gjykatës në përudhën kohore prej dy vitesh, pas largimit të kryetarit të Komunës Nexhat Demaku, nuk kishte pasur asnjë ankesë apo procedurë paraprake lidhur me punësimin e Mimoza Berishës qoftë në komision disiplinor, qoftë në procedurë administrative, qoftë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për ankesa.

“Gjykata konsideron se aktakuzës i mungojnë elementet qenësore të veprës si dashja, pasoja, kundërligjshmëria, si dhe inkriminimi preciz i veprimeve të të akuzuarve, për të përmbushur figurën e veprës penale dhe në asnjë fazë të procedurë gjykata nuk i ka vërtetuar këto elemente”, ka shtuar gjykata në arsyetimin e aktgjykimit.

Mirëpo, kundër këtij aktgjykimi Prokurorja Dulina Hamiti me 24 shkurt 2020, kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, për shkak të gabimit të gabuar të gjendjes faktike si dhe për shkelje të ligjit penal.

Sipas ankesës së prokurorisë, aktgjykimi lirues i gjykatës nuk përmban arsyet mbi faktet vendimtare më të cilat gjykata e kishte mbështetur aktgjykimin e saj dhe se gjykata në mënyrë jo të drejtë i kishte liruar nga akuza, duke mos i vlerësuar drejtë provat e administruara, dëshminë e përfaqësuesit ligjor të Komunës së Drenasit dhe provat e tjera.

“Gjykata me rastin e marrjes së aktgjykimit lirues ka nxjerrë aktgjykim lirues duke u bazuar vetëm në mbrojtjen e të akuzuarve  duke mos i vlerësuar në mënyrë të drejtë provat dhe dëshmitarë dhe se aktgjykimi lirues nuk përmban faktet vendimtare dhe është jo i drejtë dhe i pabazuar”, thuhet në ankesën e prokurorisë.

Në këtë ankesë prokuroria kishte propozuar që të akuzuarit të shpallen fajtor ose çështja të kthehet në rigjykim.

Ndërsa mbrojtësi i Demakut, avokati Gazmend Halilaj, në përgjigjen e tij ka thënë se ankesa e prokurorisë nuk kishte mbështetje dhe se nuk ka dhënë arsyetim të duhur, duke mos e argumentuar se cila provë ishte vërtetuar nga ana e gjykatës që kishin shkuar në favor të lirimit të të akuzuarve.

Ai ka kërkuar nga Gjykata e Apelit që ta vërtetojë aktgjykimin lirues të klientit të tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe në seancën fillestare të mbajtur me 21 nëntor 2018 dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm për keqpërdorim detyre, ndërsa në shqyrtimin e dytë të mbajtur me 10 dhjetor 2018 dy të akuzuarin kishin kërkuar hudhjen e aktakuzës dhe kishin kundërshtuar provat. Në të njëjtin seancë gjykatësja Hasaj-Hyseni kishte refuzuar kërkesat e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shtator 2018, Nexhat Demaku akuzohet se duke shfrytëzuar detyrën zyrtare si kryetar i Komunës së Drenasit, i kishte tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo për personin tjetër.

Ai akuzohej se më 10 mars 2015, ia ka lëshuar akt-emërimin punëtores Mimoza Berisha në pozitën inspektore e tregut në Drejtorinë e Inspeksionit, në Komunën e Drenasit me kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 mars 2016, si dhe me 20 janar 2016, në kohëzgjatje prej 5 mars 2015 deri më 5 qershor 2018.

Këtë akt-emërim, Demaku akuzohej se ia kishte lëshuar Berishës, në Drejtorinë e Inspektoratit të Komunës së Drenasit, me titullin e vendit të punës inspektore e tregut, pa pasur konkurs publik të shpallur, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Prokuroria për këtë veprim të tij, pretendon se Berishës i kishte sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm në vlerë prej 18,309.01 euro, ndërsa në këtë vlerë është dëmtuar edhe Komuna e Drenasit.

Lidhur me punësimin e Berishës, prokuroria po ashtu pretendonte se ka keqpërdorur detyrën edhe ish-drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Drenasit, Sadik Tahiraj.

Ai akuzohej se më 3 nëntor 2014, ia ka lëshuar kontratën e punës për mësimdhënës Mimoza Berishës me titullin e vendit të punës, edukatore me parafillor në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Ali Gashi” në Drenas, si dhe me 3 nëntor 2014 ia kishte lëshuar asaj vendimin, në pozitën edukatore në atë shkollë, pa pasur konkurs publik të shpallur, dhe e kishte punësuar pa përgatitje shkollore adekuate, duke mos iu nënshtruar procedurave të rekrutimit-punësimit.

Gjithmonë sipas aktakuzës ai me 5 mars 2015, ia kishte lëshuar vendimin Berishës për transferimin e saj në Drejtorinë e Inspeksionit në Komunën e Drenasit në vendin e punës inspektor i tregut, e me ç’rast Berishës i kishte sjell përfitim të kundërligjshme në vlerë prej 756.18 euro, duke i shkaktuar dem edhe buxhetit të komunës në vlerë prej 756.18 euro. /BetimipërDrejtësi