Arsyetimi i gjykatës për dënimin e rojës së burgut me 1 vit e 6 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë, ngarkohej për korrupsion

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë- Pas shpalljes së aktgjykimit dënues nga gjykatësja Violeta Husaj-Rugova, ndaj rojës së burgut të Dubravës, Xhevat Blakaj, me të cilin i njëjti u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë, gjykatësja e ka arsyetuar këtë dënim.

Blakaj akuzohej se kishte marrë ryshfet  2 mijë euro, për të transferuar një të dënuar në një burg gjysmë të hapur dhe për këtë veprim inkrimunues, pasi i njëjti kishte pranuar fajësinë, më 22 nëntor 2021 ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë nga Gjykata e Pejës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në arsyetimin e aktgjykimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, gjykatësja ka shpjeguar se në matjen e dënimit ka vlerësuar si rrethanë lehtësuese, pranimin e fajësisë, keqardhjen e shprehur dhe faktin se i njëjti nuk kishte qenë i gjykuar më parë.

Kurse si rrethanë rënduese, gjykata ka gjetur dashjen e lartë e të pandehurit në kryerjen e veprës penale dhe faktin e shumës së konsideruar të hollave që i kishte kërkuar ryshfet.

“Përfshihet në kryerjen e veprës penale që nga kontakti dhe biseda me të dëmtuarin në Qendrën Korrektuese e gjerë në pranimin e të hollave kur është bërë simulimi me qëllim të sigurimit të provës”, thuhet në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata si rrethanë tjetër rënduese në matjen e dënimi, ka arsyetuar se i akuzuari kishte shfrytëzuar pozitën zyrtare për të kryer veprën penale.

“I njëjti kishte shfrytëzuar pozitën e tij si mbikëqyrës ndërrimi në qendrën Korrektuese në Dubravë ku i dënuari-dëmtuari ishte duke vuajtur dënimin me burg dhe aty kishte hy në bisedë me të dëmtuarin A.H, i cili ishte i dënuar dhe vuante dënimin në Qendrën Korrektuese në Dubravë”, thuhet tutje në arsyetimin e gjykatës.

Gjykata nuk i ka gjetur të bazuara pretendimet e avokaitit Salih Mekaj se me veprimet e të mbrojtur të tij nuk ishte shkaktuar ndonjë pasojë për shkak të veprës së simuluar dhe se i mbrojturi i tij ishte nxitur për të kryer veprën penale nga e dëmtuara,  moshën e shtyrë dhe gjendjen jo të mirë shëndetësore.

Në lidhje me këto pretendime, gjykata ka theksuar se simulimi nuk mund të konsiderohet si nxitje apo pjesëmarrje e ulët e të pandehurit në kryerjen e veprës penale dhe se i pandehuri kishte patur përfshirje të lartë në kryerjen e veprës penale.

“Sa i përket moshës, i njëjti nuk është moshës së shtyrë apo i moshës shumë të re në mënyrë që gjykata ta vlerësojë si rrethanë lehtësuese, ngase i njëjti ishte rreth moshës 60 vjeçare që do të thotë se nuk hynë në kategorinë e personave në moshë të shtyrë, andaj gjykata nuk e aprovoi si rrethanë lehtësuese. Po ashtu gjykata nuk e aprovoi si rrethanë lehtësuese as gjendjen e tij shëndetësore, sepse mbrojtja nuk ofroi dëshmi lidhur me gjendjen shëndetësore të akuzuarit dhe pranin e ndonjë sëmundje të rëndë që do të ndikonte në vendimin e gjykatës për dënimin”, thuhet në arsyetimin.

Gjykata në fund ka shprehur bindjen se me dënimin kumulativ të shqiptuar të pandehurit do të arrihet në pengimin e të akuzuarit për kryerjen e veprave penale në të ardhmen dhe parandalimin që të tjerët të përmbahen nga veprimet e tilla.

Ndryshe, më 2 nëntor 2021, Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj rojës së burgut në Dubravë, Xhevat Blakaj, nën dyshimin se ka pranuar 2 mijë euro për të transferuar një të dënuar në burgun gjysmë të hapur.

Këtë aktakuzë e kishte ngritur prokurorja e Krimeve të Rënda, Sahide Gashi, raporton ”Betimi për Drejtësi”.

Për ngritjen e kësaj aktakuze, zëdhënësi i Prokurorisë së Pejë, Shkodran Nikqi, kishte thënë se ndaj Blakajt është ngritur aktakuzë për veprën penale “Ushtrim ndikimi”.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se më 20 gusht 2021, në Istog, në parkingun e restaurantit “Trofta”, i akuzuari Xhevat Blakaj kërkon dhe pranon përfitim për vete me pretendimin se ai është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, në atë mënyrë që kur N.N së bashku me R.R, këtu dëshmitare kishin shkuar në vizitë tek Ali Haxhishabanit, këtu i dëmtuar, i cili ishte në vuajtje të dënimit në këtë Qendër.

Sipas prokurorisë, i dënuari iu kishte thënë se një oficer me emrin Xhevat po i kërkonte shumën prej 2 mijë euro me kusht që ta transferonte nga pjesa e tipit të mbyllur në pjesën e burgut të tipit gjysmë të hapur dhe sipas porosisë së të pandehurit, ua jep numrin e tij kontaktues, e meqë e njëjta nuk i kishte këto të holla, sepse sipas saj, edhe më herët ishin detyruar të paguajnë në këtë formë e për ta liruar atë me kusht, lajmërohet policia, e cila e mban nën vëzhgim.

Tutje, në aktakuzë thuhet se kur i pandehuri e kontakton dëshmitaren N.N dhe sipas marrëveshjes takohen dhe pinë kafe me të njëjtin dhe dëshmitaren R.R në restaurantin `Freskia` në Istog, sipas sugjerimeve të të pandehurit, të gjithë hyjnë në veturën e dëshmitares N.N e tipit VW Golf IV, e cila edhe po e drejtonte dhe afër saj ulet dëshmitarja R.R, derisa i pandehuri ulet në ulëset e pasme të automjetit dhe shkojnë në parkingun e restaurantit``Trofta``.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi dëshmitarja N.N ia numëron dhe dorëzon shumën e të hollave të kërkuara, e pasi i njëjti i merr dhe del nga vetura, ndalohet nga policia, të cilët të hollat në fjalë ia gjejnë në xhepin e përparmë të djathtë të pantallonave dhe ia konfiskojnë, të holla këto të siguruara nga Fondi i Fshehtë i policisë, që ishin fotografuar dhe regjistruar numrat serik më herët.
Për këtë, i pandehuri ngarkohej se ka kryer veprën penale “Ushtrim ndikimi” nga neni 424, paragrafi 1 i Kodit Penal, që parasheh dënim me gjobë dhe me burgim prej një deri në tetë vite.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” për këtë rast kishte raportuar edhe më herët, kur ndaj të pandehurit ishte caktuar dhe vazhduar masa e paraburgimit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë