Arsimtari kërkon afër 1 mijë e 500 euro për shujtat ditore dhë shpërblimin jubilar, Komuna e Kamenicës e kundërshton

Raporton: Blerim JAKUPI

Kamenicë – Në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të hënën ka përfunduar gjykimi në rastin ku A.M, arsimtar i lëndës së matematikës, në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët (ShFMU) “Fan S. Noli”, në Kamenicë, po kërkon nga Komuna e Kamenicës kompensimin e shujtave ditore në shumën prej 1 mijë e 68 euro si dhe 421 euro tjera për shpërblimin jubilar.

Duke pretenduar se ky kompensim i takon, në mars të 2020-ës, paditësi M. e ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, përfaqësuesi i paditësit, avokati Selmon Sadiku, ka thënë se mbesin në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë, por që ai ka thënë se bëjnë precizimin e padisë në aspektin objektiv, ashtu që tani e tutje shuma e kërkuar në kërkesëpadi nga 1 mijë e 843 euro, është 1 mijë e 489 euro.

“Mbesim në tërësi pranë padisë e posaçërisht pranë precizimit të padisë në aspektin objektiv, kurse në seancën e sotme precizojmë kërkesëpadinë, ashtu që për periudhën kohore 18 prill 2017 deri më 26 qershor 2020, kemi 534 ditë pune të cilat kur shumëzohen me dy euro vjen deri tek shuma 1 mijë e 68 euro”, ka thënë avokati Sadiku.

Po ashtu, ai ka thënë se paditësi kërkon edhe pagesën e shpërblimit jubilar për mbi 30 vite përvojë punë, në shumë prej 421 euro.

Ndërsa, përfaqësuesi ligjor i të paditurës, Alban Hashani ka thënë se ata si palë e paditur mbeten në tërësi pranë përgjigjes në padi duke e konsideruar kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar.

“Ne si palë në këtë çështje kontestimore nuk jemi palë nënshkruese e Kontratës Kolektive”, deklaroi përfaqësuesi Hashani.

Ai gjithashtu ka thënë se nga kjo del se ata si palë e paditur nuk kanë marrë ndonjë obligim që do duhej ta kryenin, i cili obligim do të dilte nga kontrata në fjalë.

Pas kësaj, gjykatësi Artan Abazi ka marrë aktvendim mbi administrimin e provave, ku është bërë edhe leximi i shkresave të lëndës.

Ndërsa, në fjalën e tij përfundimtare avokati Selmon Sadiku deklaroi se mbeten në tërësi pranë deklaratave të cekura më lartë dhe kërkoi nga gjykata ta aprovojë padinë e paditësit.

Përfaqësuesi i Komunës së Kamenicës, Alban Hashani në fjalën e tij përfundimtare ka kërkuar nga gjykata që ta refuzojë në tërësi padinë si të pabazuar.

Gjykatësi Artan Abazi njoftoi palët se vendimin e gjykatës në lidhje me rastin konkret do t’ua dërgojë brenda afatit ligjor.

Mësimdhënësi A.M., më 9 mars 2020, ka paditur Komunën e Kamenicës, respektivisht Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA) në këtë komunë, ndërsa më 20 nëntor 2021, ka bërë precizimin e padisë në aspektin objektiv me arsyetimin se ai është në marrëdhënie pune tek e paditura si mësimdhënës në ShFMU “Fan S. Noli”, në Kamenicë.

Me kërkesëpadi, paditësi po kërkon nga e paditura që atij t’ia paguajë shujtat ditore për vitet shkollore 2016/2017, 2017/2018, 2018/2019 dhe 2019/2020, në shumë prej 1 mijë e 68 euro, si dhe shpërblimin jubilar prej për mbi 30 vite përvojë pune, 421 euro, e që shuma e përgjithshme kapë vlerën prej 1 mijë e 489 euro, si dhe kamatën ligjore në lartësi prej 8% sipas LMD-së, e cila do të llogaritet nga data e parashtrimit të padisë deri në pagesën definitive në afat prej 15 ditësh nga dita kur aktgjykimi të bëhet i formës së prerë, si dhe pagesën e shpenzimeve të procedurës kontenstimore. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë