ARRIHET PARASHKRIMI ABSOLUT, PROKURORIA HEQ DORË NGA NDJEKJA PENALE KUNDËR POLICËVE TË AKUZUAR PËR RYSHFET

Raporton: Valdet HAJDINI

Prishtinë – Për shkak të arritjes së afatit të parashkrimit absolut të ndjekjes penale, prokurorja e shtetit Besa Krajku ka hequr dorë nga ndjekja penale kundër policëve Muhamet Hamiti dhe Afrim Maxhuni, të akuzuar për veprën penale ‘marrje e ryshfetit’.

Meqenëse, nga shkresat e lëndës është vërtetuar se vepra penale kishte ndodhur në vitin 2011, ndërsa deri më tani ka arritur parashkrimi absolut, trupi gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja Nora Bllaca-Dula mori aktgjykim refuzuar, me të cilin pushohet ndjekja penale kudër policëve.

Ndryshe, prokuroria i ngarkonte dy policët Muhamet Hamiti dhe Afrim Maxhuni, me pretendimin se me 13 tetor 2011, kanë pranuar ryshfet në shumën prej 200 përkatësisht 70 euro, nga i dëmtuari Osman Mehmeti. Kjo, sipas prokurorisë ka ndodhur me qëllim që t’ia mundësojë prerjen dhe transportin e kundërligjshëm të drunjëve.

Në këtë rast gjyqësor, fillimisht kanë qenë të akuzuar edhe shtatë persona tjerë, Avni Januzi, Ibish Ibrahimi, Tefik Ibrahimi, Osman Mehmeti, Kadri Jashari, Misim Beqiri dhe Kujtim Hasani, mirëpo kundër të gjithëve ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale. Gjykata me 26 janar 2016 kishte marr aktvendim për hudhjen e pjesshme të aktakuzës, ndërsa sot për shkak të parashkrimit absolut gjykata mori aktgjykim refuzuar për tërë aktakuzën.

Duhet theksuar se ky rast është në gjykim që nga 14 maji 2014, ndërsa pas më shumë se dy viteve gjykim, ka arritur parashkrimi absolut dhe është pushuar ndjekja penale kundër nëntë të akuzuarve për korrupsion.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë