Arrihet pajtimi gjyqësor në rastin ku po kërkohen afër 2 mijë euro në emër të pensioneve të parakohshme të papaguara

Raporton: Agnesa HASANI

Mitrovicë – Është arritur pajtimi gjyqësor në mes paditësit Fetah Bahtiri dhe të paditurës  Ndërmarrja “Trepça”, ku kjo e fundit do t’ia paguajë paditësit shumën prej 1 mijë e 950 euro, në emër të pensioneve të parakohshme të papaguara.

Marrëveshja e tillë është arritur në seancën e së mërkurës, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, pasi që palët ndërgjyqëse kanë shprehur vullnetin e tyre për një gjë të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas kësaj marrëveshje, e paditura Ndërmarrja “Trepça” me seli në Mitrovicë obligohet që paditësit Fetah Bahtiri nga Komuna e Mitrovicës, në emër të pensioneve të parakohshme të papaguara t’ia paguajë shumën prej 1 mijë e 950 euro dhe atë për periudhën 8 prill 2004 e deri më 30 shator 2008, në afat prej 30 ditësh nën kërcënimin e përmbarimit ligjor.

Po ashtu, e paditura obligohet që paditësit t’ia paguajë shpenzimet e procedurës në shumë prej 165 euro, të gjitha këto në afat prej 30 ditësh nën kërcënimin e përmbarimit ligjor.

Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve e ka miratuar gjykatësi Naim Meholli, i cili tha se ky pajtim e ka fuqinë e titullit ekzekutiv.

Fillimisht në seancën e së mërkurës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Besart Kadriu e njoftoi gjykatën se paditësi ka shkuar në pension të parakohshëm më 8 prill 2004, ndërsa e paditura këtë pension nuk ka filluar t’ia paguajë deri më 2 qershor 2006.

Mirëpo, sipas tij edhe pas kësaj periudhe kur kanë filluar t’ia paguajnë këto pensione të parakohshme të njëjtit përsëri nuk ia kanë paguar me rregull, por vetëm disa prej tyre janë paguar.

Po ashtu, përfaqësuesi i paditësit, avokati Besart Kadriu e njoftoi gjykatën se fillimisht pensionet e parakohshme kanë qenë në shumën prej 40 euro ndërsa nga data 1 korrik 2005 këto pensione të parakohshme janë rritur në 50 euro.

“Nga përllogaritja jonë del se e paditura, paditësit i ka borxh 15 muaj nga 40 euro, nga data 8 prill 2004 e deri më 31 qershor 2005, e që shuma për këta muaj është 600 euro, ndërsa nga periudha 1 korrik 2005 e deri më 30 shtator 2008 e paditura nuk ia ka paguar për 27 muaj pensionin e parakohshëm, ku për secilin muaj ka qenë nga 50 euro”, tha ai.

Sipas avokatit Kadriu, shuma për këta muaj është 1 mijë e 350 euro.

“Ne pretendojmë që shuma e përgjithshme në emër të pensioneve të parakohshme të papaguara për periudhën 8 prill 2004 e deri më 30 shtator 2008 kur ka shkuar në pension të përhershëm është në shumë prej 1 mijë e 950 euro” deklaroi avokati Besart Kadriu.

Ndërsa përfaqësuesi i Ndërmarrjes “Trepça”, Fuad Haliti, deklaroi se nuk i di arsyet se përse nuk i janë paguar këto pensione paditësit.

“Ne kemi hulumtuar se pse nuk janë paguar pensionet e parakohshme të paditësit, por nuk kemi mundur t’i gjejmë arsyet se pse këto pensione nuk janë paguar nga ne, prandaj ne i ofrojmë  marrëveshje paditësit”, deklaroi përfaqësuesi i të paditurës, Haliti.

Sipas padisë së ushtruar me datë 28 korrik 2004, thuhet se paditësi nga data 27 nëntor 1977 ka punuar në Kombinatin Trepça në Mitrovicë.

Tutje, në padi thuhet se duke u bazuar në dispozitat e Udhëzimit Administrativ mbi pensionin e përkohshëm, i padituri paditësin e ka pensionuar në bazë të vendimit të datës 8 prill 2004.

Në padi thuhet se që nga dita e pensionimit paditësi e ka marrë pensionin, mirëpo në ndërkohë gjegjësisht të njëjtit për shkaqe të panjohura i është ndërprerë ky pension edhe atë për muajt shtator, tetor, nëntor dhe dhjetor 2005 dhe muajt janar, shkurt, mars, dhe prill 2006.

Mirëpo pas muajit prill 2006, thuhet se ka vazhduar përsëri pagesa e pensionit deri në ditën e parashtrimit të kësaj padie.

Me anë të kësaj padie, paditësi ka kërkuar nga Gjykata Komunale në Mitrovicë që të paditurën ta obligojë që paditësit në emër të mjeteve të papaguara të pensionit t’ia paguajë shumën prej 400 euro./BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. PranoLexo më shumë