Drenas- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, të hënën është arritur pajtim gjyqësorë, mes paditësit Jetullah Shabani dhe palës së paditur New Co Feronikeli Complex, për çështjen kontestimore, kompensim dëmi.
Paditësi, Jetullah Shabani ka ngritur padi, për kompensimin e dëmit material dhe jo material ndaj New Co Feronikel Complex LLC, me të cilën pretendon se ka pësuar lëndime në vendin e punës, me 03 tetor 2010.
Gjykatësi i çështjes, Daut Qela, ka aprovuar pajtimin gjyqësorë, pas shprehjes se vullnetit nga ana e përfaqësuesve të palëve ndërgjyqëse, avokatit Arif Hasi, i autorizuar i paditësit, si dhe avokatit Blerim Prestreshit, i autorizuar i palës së paditur, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në pajtimin gjyqësorë të arritur thuhet se detyrohet e paditura New Co Feronikeli Complex, që në emër të dëmit material dhe jo materia të i paguaj paditësit Jetullah Shabani, shumën prej 2.400 euro, në të cilën hynë edhe taksa gjyqësore në shumë prej 25 euro, ekspertiza e punës në shumën prej 150 euro si dhe 300 euro për ekspertizat mjekësore.
Po ashtu, është e paditura është detyruar që përfaqësuesit të paditësit në emër të shpenzimeve gjyqësore të i paguaj shumën prej 600 euro.
Pajtimi gjyqësorë përfshinë të gjitha kërkesat për këtë çështje juridiko civile.
Ndryshe, më 23 shtator 2013, Jetullah Shabani ka ngritur padi, për kompensimin e dëmit material dhe jo material ndaj New Co Feronikel Complex LLC, me të cilën pretendon se ka pësuar lëndime në vendin e punës, më datë 03 tetor 2010.
Paditësi ka qenë në marrëdhënie pune tek e paditura afro 23 vite si punëtorë elektronik, deri më datën 30 qershor 2012, ku të njëjtit i është ndërprerë marrëdhënia e punës.
Sipas padisë, i padituri kërkon nga gjykata që të nxjerr aktgjykim me të cilin do të aprovohet padia dhe kërkesëpadia e paditësit dhe detyrohet e paditura New Co Feronikel Complex të i paguaj në emër të lëndimeve në punë, ku kishte lënduar dy sytë shkaku i sasisë së madhe të pluhurit, gjatë pastrimit të gas analizatorëve të furra rrotulluese nr.1, vendi ku ka ndodhur lëndimi konsiderohet vend i rrezikshëm pune.
Vlera e kontestit e kërkuar nga paditësi, për kompensimin e dëmit material dhe jo material, është 5.000,00 euro. /BetimipërDrejtësi