Arrihet pajtim gjyqësor për kompensim dëmi për aksidentin që kishte ndodhur në vitin 2018

Lipjan
Author

Raporton: Vjollca QERIQI

Tetor 9, 2019

Lipjan – Është arritur pajtim gjyqësor ndërmjet paditëses Arjeta Sopa dhe kompanisë së sigurimeve “Sigma”, për kompensimin e dëmit, pas aksidentit në trafik që kishte ndodhur në korrik të vitit 2018, në fshatin Topliqan të Komunës së Lipjanit.

Marrëveshja është arritur në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, pasi i autorizuari i palës paditëse, avokati Bajram Azemi, si dhe Bali Mahmuti përfaqësues i të paditurës “SIGMA”, kanë shprehur vullnetin për arritjen e një marrëveshje të tillë.

Palët ndërgjyqëse arritën marrëveshje, që shuma e përgjithshme për kompensimin e dëmit  material dhe jo material për lëndimet e pësuara në aksident, të jetë 1000 euro.

Po ashtu, e paditura është obliguar nga gjykata që të paguajë shumën e përgjithshme prej 279 euro në emër të shpenzimeve procedurale, duke përfshirë shpenzimet për padi, për përfaqësim dhe për taksë gjyqësore.

Gjykatësi i çështjes Zenel Tasholli, pasi e ka miratuar këtë marrëveshje, tha se të gjitha këto obligime, e paditura duhet t’i paguajë në xhirollogarinë e të autorizuarit të paditëses, brenda afatit prej tetë ditësh.

Ndryshe, nga padia e paraqitur më 25 tetor 2018, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dega në Lipjan, thuhet se më 16 korrik 2018, në fshatin Topliqan të Lipjanit, ka ndodhur një aksident trafiku.

Siç thuhet në padi nga ky aksident lëndime të rënd trupore ka pësuar paditësja Arjeta Sopa, e cila ishte duke udhëtuar në cilësinë e pasagjeres, në veturën e tipit “Daimler”, kur papritmas i kishte goditur vetura e tipit “VW”, e cila kishte qenë e siguruar te tani e paditura, nga e cila edhe ka kërkuar kompensimin e dëmit. /BetimipërDrejtësi