Arrihet pajtim gjyqësor për kompensim dëmi për aksidentin e vitit 2018 në Pejë

20190930_104956 (1)
Author

Raporton: Alban MEHMETAJ

Tetor 10, 2019

Istog – Është arritur pajtim gjyqësor ndërmjet paditëses Kosovare Hoxha dhe kompanisë së sigurimeve “Elsig”, për kompensimin e dëmit pas aksidentit në trafik, që kishte ndodhur në maj të vitit 2018, në Pejë.

Marrëveshja është arritur në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, pasi që palët ndërgjyqëse, respektivisht i autorizuari i paditëses, avokati Bajram Mujaj dhe i autorizuari i të paditurës, Ismet Bajraktari, kanë shprehur vullnet për një marrëveshje të tillë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Palët ndërgjyqëse, arritën marrëveshje, që shuma e përgjithshme për kompensimin e dëmit material dhe jo material për të gjitha format dhe kategoritë e dëmit, të jetë 1000 euro.

Po ashtu, e paditura është obliguar nga gjykata që të paguajë shumën e përgjithshme prej 260 euro në emër të shpenzimeve procedurale.

Gjykatësi i çështjes Migjen Kastrati tha se të gjitha këto obligime, e paditura duhet t’i paguajë në  xhirollogarinë e të autorizuarit të paditësit në afat prej 30 ditësh.

Marrëveshjen e arritur ndërmjet palëve e ka miratuar gjykatësi Migjen Kastrati.

Ndryshe, nga padia e ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Istog, më 27 gusht 2018, thuhet se më 18 maj 2018, rreth orës 14:50, në rrugën “UÇK”, në Pejë ka ndodhur aksident komunikacioni.

Sipas padisë, si pasojë e këtij aksidenti, paditësja Kosovare Hoxha ka pësuar lëndime të rënda trupore.

Në padi thuhet se, automjeti me të cilin është shkaktuar aksidenti ka qenë i siguruar tek e paditura kompania e sigurimeve “Elsig”.

Andaj, mbi këtë bazë, paditësja ka kërkuar nga ana e gjykatës që të detyrohet kompania e sigurimeve “Elsig”, që asaj t’i kompenson dëmet materiale dhe jo materiale të pësuara nga aksidenti i 18 majit 2018. /BetimipërDrejtësi