ARRIHET MARRËVESHJE MBI PRANIMIN E FAJËSISË, PËR GRABITJE DHE VJEDHJE TË RËNDË

Raporton: Lutfi MORINA

Gjakovë – I akuzuari Getoarb Mulliqi, ka pranuar se ka kryer veprat penale “vjedhje e rëndë” dhe “grabitje” për të cilat edhe akuzohet. Në seancën e mabjtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Gjakovë, prokurori i rastit, Agron Matjani, ka njoftuar se me të akuzuarin ka arritur marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Rexhep Gjikolli, ka deklaruar se marrëveshja është arritur me insistimin e të mbrojturit të tij, i cili, sipas tij, është penduar veprimet e tij. “Ai ka shprehur vullnetin për pranimin e fajësisë që nga fillimi i procedurës dhe ka bashkëpunuar me organin e akuzës, për të treguar mënyrën se si janë kryer veprat penale, të cilat i ka kryer në bashkëkryerje me dy persona tjerë, të cilët janë në arrati” ka thënë ai. Me këtë rast, avokati Gjikolli ka kërkuar që me rastin e shqyrtimit të lartësisë së dënimit, të mbrojturit të tij, t’i shqiptohet minimumi i dënimit të rekomanduar në marrëveshje. Kjo marrëveshje përfshinë dënim me burg në kohëzgjatje prej 3-4 vite dhe dënim me gjobë në shumën prej  400-600 Euro.

I akuzuari Getoarb Mulliqi, gjatë këtij shqyrtimi gjyqësor ka deklaruar se me vullnet të lirë ka hyrë në marrëveshje mbi pranimin e fajësisë dhe se është penduar thellësisht për veprimet e tij kriminale. Madje i njëjti ka premtuar se nuk do të kryejë asnjë vepër penale në të ardhmen.

Kryetari i trupi gjykues, Nikollë Komani, ka pranuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë dhe shpalljen e aktgjykimit e ka caktuar për datën 21.04.2016.

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë