Arrihet marrëveshje gjyqësore për kompensim dëmi në rastin e aksidentit që kishte përfunduar me fatalitet

60358649_1118595361677660_700935909633163264_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Maj 14, 2019

Kamenicë – Të martën, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, është arritur marrëveshje gjyqësore për kompensim dëmi, lidhur me aksidentin që kishte ndodhur në vitin 2015, e i cili kishte përfunduar me fatalitet.

Për këtë aksident, si pasojë e të cilit kishte humbur jetën A.H, paditësi Esat Hotlani, e ka paditur kompaninë e sigurimeve “Sigal”.

Sipas marrëveshjes gjyqësore, për të gjitha format e dëmit material dhe jo material, kompania “Sigal”, obligohet që paditësit t’ia paguaj shumën prej 4,500, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ky pajtim gjyqësor e obligon të paditurën që për shpenzimet e procedurës, paditësit t’ia kompensojë shumën prej 279 eurosh, të gjitha këto në afat prej 30 ditësh në xhirollogarinë e përfaqësuesit ligjor të paditësit, avokatit Fatbardh Makolli.

Ndryshe, në fillim të seancës, përfaqësuesi i paditësit, avokati Makolli njoftoi gjykatën se me të paditurën janë pajtuar që këtë çështje ta mbyllin me pajtim gjyqësor, ashtu që sipas tij, e paditura e pranon obligimin në emër të dhimbjeve shpirtërore dhe shpenzimeve materiale, që paditësit t’ia paguajë shumën e tërësishme prej 4,500 euro si dhe shpenzimet e procedurës.

“I propozojmë gjykatës që ta aprovoj këtë pajtim gjyqësor”, tha në fund avokati Makolli.

Edhe përfaqësuesi i të paditurës, Arben Nitaj, deklaroi se pajtohet me deklarimet e palës paditëse, dhe i propozoi gjykatës që ta aprovojë këtë marrëveshje, të cilën më pas edhe e ka aprovuar gjykatësi Besnik Pireva.

Esat Hotlani, më 22 dhjetor 2017, ka ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, duke e paditur kompaninë e sigurimeve “Sigal”, me arsyetimin se më 23 maj 2015, ka ndodhur aksident trafiku, ku vetura “Opel Vektra” e siguruar tek e paditura, të cilën e kishte vozitur Dragisha Ivanoviq, duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, shkakton aksident trafiku në Koretin të Kamenicës, nga i cili aksident A.H ka marr lëndime të rënda trupore, i cili nga plagët e marra më 24 maj 2015 edhe ndërron jetë.

Në padi thuhet se automjeti i cili ka qenë shkaktar i këtij aksidenti, në momentin e shkaktimit të tij ka qenë i siguruar tek e paditura.

Paditësi Esat Hotlani, kishte kërkuar nga gjykata që të detyrojë të paditurën “Sigal”, që atij në emër të kompensimit të dëmit material dhe jo material t’ia komopensojë dëmin e shkaktuar në aksidentin e 23 majit 2015, shumën prej 3,000 eurosh për dhimbje shpirtërore, si dhe shpenzimet në emër të dëmeve materiale, të gjitha këto në afat prej 15 ditësh, nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit. /BetimipërDrejtësi