Pejë – Ka përfunduar me marrëveshje gjyqësore, çështja kontestimore, ku paditësi Artan Kuçi, po kërkon nga i padituri Zenun Krasniqi, kompensim dëmi material, për shkak të dëmtimit në makinë të shkaktuar nga goditja e gurit.
Sipas kësaj marrëveshje gjyqësore të arritur në seancën e së enjtes, në Gjykatën Themelore në Pejë, i padituri Zenun Krasniqi, u detyrua që në afat prej 15 ditësh, paditësit Artan Kuçi, t’ia kompensojë shumën prej 650 euro.
I padituri Krasniqi, përmes kësaj marrëveshje u obligua edhe në kompensimin e shpenzimeve të përgjithshme procedurale, në vlerë prej 394 euro, raporton ‘‘Betimi për Drejtësi’’.
Ndryshe në fillim të këtij gjykimi civil, përfaqësuesi i paditësit, avokati Isa Osdautaj dhe përfaqësuesi i të paditurit, avokati Veton Berisha, deklaruan para gjykatës që e kanë pranuar ekspertizën gjyqësore nga fusha e makinerisë dhe janë pajtuar që këtë lëndë civile ta zgjidhin me marrëveshje gjyqësore.
Një propozim të tillë më pas e aprovoi edhe gjyqtarja e çështjes, Merita Baloku.
Ndërsa të pranishëm në seancë ishin vetëm përfaqësuesi i paditësit Artan Kuqi, avokati Isa Osdautaj dhe përfaqësuesi i të paditurit Zenun Krasniqi, avokati Veton Berisha.
Sipas padisë së ushtruar në Gjykatën Themelore në Pejë me 22 nëntor 2017, paditësi Artan Kuçi po kërkon që i padituri Zenun Krasniqi t’ ia kompensoi dëmin material në vlerë prej 2 mijë e 800 euro, pasi që sipas tij, këtu paditësi me 18 gusht 2017, në rrugën Pejë- Deçan, ia kishte goditur me guri makinën e këtu paditësit, duke ia dëmtuar xhamin e përparme të veturës.
Kurse lidhur me vlerësimin e dëmit të shkaktuar në veturë, paditësi përmes padisë ka propozuar që të nxjerrët ekspertiza e makinerisë.
Kurse në padi gjithashtu është cekur se lidhur me këtë dëmtim të veturës, ndaj këtu të paditurit është iniciuar edhe procedurë penale. /BetimipërDrejtësi