Arrihet marrëveshje gjyqësore mes paditësit dhe Kompanisë “Siguria” për kompensimin e dëmit lidhur me aksidentin e 2021-ës
Raporton: Genta PAJAZITI
Viti – Është arritur marrëveshje gjyqësor mes përfaqësuesit të paditësit E.R. dhe Kompanisë së Sigurimeve “Siguria”, për kompensimin e dëmit në vlerë prej 500 euro.
Fillimisht, përfaqësuesi i paditësit E.R., avokati Xhavit Haziri dhe përfaqësuesi e Kompanisë së Sigurimit “Siguria”, Muhamet Durmishi propozuan që kjo çështje kontestimore të zgjidhet me anë të pajtimit gjyqësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Ky propozim u aprovua nga gjykatësi Raif Fazliu, i cili detyroi të paditurën Kompaninë e Sigurimeve “Siguria” që paditësit në emër të shpërblimit të dëmit material për aksidentin e pësuar më 12 shkurt 2021, t’ia paguaj shumën prej 500 euro.
Po ashtu e paditura obligohet që t’ia paguajnë edhe shpenzimet e procedurës në shumën e përgjithshme prej 260 euro, të gjitha këto në llogarinë e përfaqësuesit të paditësit, avokatit Xhavit Haziri, në afat prej 30 ditësh nga lidhja e këtij pajtimi gjyqësor.
Ndryshe, sipas padisë së ushtuar më 31 qershor 2021, paditësi E.R. kërkon nga e paditura, kompania e sigurimeve “Siguria”, kompensimin e dëmit material.
Në padi thuhet se paditësi E.R. më 12 shkurt 2021, rreth orës 11:15, në rrugën Ramiz Cërnica në Gjilan, i është shkaktuar aksident trafiku, në të cilin aksident paditësi ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale në veturën e tij.
Prandaj me anë të kësaj padie, paditësi po kërkon nga gjykata që kërkesëpadia të aprovohet si e bazuar dhe që të detyrohet e paditura, kompania e sigurimeve “Siguria”, që në emër të dëmit material t’ia kompensojnë shumën prej 1000 euro, dhe atë kamatë ligjore prej 8 %. /BetimipërDrejtësi