Arrestohet një person nën dyshimin se përfitoi mbi 40 mijë euro duke mashtruar 12 qytetarë rreth termineve për viza pune

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar A.B 28-vjeçar, nën dyshimin se i njëjti kishte mashtruar 12 persona duke iu premtuar se do t’iu caktonte termine për viza pune.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi të policisë, ku thuhet se i njëjti dyshohet se përfitoi 41 mijë e 100 euro nga viktimat që mashtroi, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Policia e Kosovës gjatë zhvillimit të hetimeve ka identifikuar dhe arrestuar të dyshuarin me iniciale (A.B; viti i lindjes 1994)) pasi që i njëjti në intervale të ndryshme kohore nga muaji dhjetor i vitit 2021 e deri në muajin Maj të vitit 2022, i kishte mashtruar 12 persona (viktima) duke iu marrë shuma të ndryshme të parave dhe duke iu premtuar se do iu caktoj-rezervoj termine për viza pune në Ambasadën e një shteti të huaj në Kosovë. Shuma e përgjithshme që i dyshuari dyshohet të ketë përfituar duke i mashtruar ankuesit është rreth 41100€ (katër dhjetë e njëmijë e njëqind euro)”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se i dyshuari është intervistuar në prezencën e avokatit mbrojtës të angazhuar sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të procedurave policore ai është ndaluar për 48 orë me aktvendim të lëshuar nga prokurori. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë