Arrestohet një person në Mitrovicë për hapjen e lokalit në kundërshtim me vendimin e Qeverisë

rtte
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Mars 23, 2020

Mitrovicë – Të dielën në Mitrovicë, është arrestuar një person i dyshuar se ka vepruar në kundërshtim me masat për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19, të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Sipas zëdhënësit  të policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, personi i arrestuar dyshohet se kishte hapur kafiterinë e tij.

“Rr. Mbretëresha Teutë, Mitrovicë, me 22.03.2020, rreth orës 12:32, është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar, pasi që i njëjti në lokalin e tij, nuk kishte respektuar vendimin e Qeverisë”, ka thënë Zahiti.

Ai deklaroi se hetimet ndaj tij janë duke u zhvilluar në drejtim të veprës penale “mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Me vendim të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, i dyshuari është liruar ndërsa rasti vazhdon me procedurë të rregullt.

Ndryshe, në Republikën e Kosovës është shpallur gjendje emergjente e shëndetit publik, për shkak të përhapjes së virusit Covid-19, ku numri i të infektuarve ka arritur në 33.

Me 13 mars 2020, në mbledhjen e 9-të, Qeveria e Republikës së Kosovës, kishte marruar masa shtesë për parandalimin e kësaj epidemie duke mbyllur me pikën 6-të të vendimit kafeteritë, baret, pabet dhe restorantet, qendrat tregtare me përjashtim të farmacive dhe marketeve ushqimore. /BetimipërDrejtësi