Arrestohet nën dyshimet për korrupsion, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të Trafiku Urban në Prishtinë

POLICIA-E-KOSOVES
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Shkurt 13, 2020

Prishtinë – Policia e Kosovës, të enjten gjatë ditës, ka arrestuar kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Trafiku Urban në Prishtinë, Ruhan Beha.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, Beha është arrestuar nën dyshimin për përfshirje në veprat penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “ushtrim i ndikimit”,

“Sot, më 13.02.2020, pas hetimeve paraprake, nën dyshimin për përfshirje në veprat penale: “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe “Ushtrim i ndikimit”, hetuesit policorë kanë arrestuar të dyshuarin: R.B., viti i lindjes 1982, mashkull kosovar, (Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve – Trafiku Urban në Prishtinë).”, thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje, thuhet se Beha dyshohet se ka tentuar të ndërhyjë tek vartësit e tij për punësimin e një kandidateje në një konkurs punësimi.

“I arrestuari, dyshohet se tejkalon autorizimet e tij dhe mundohet të ndikojë në vartësit e tij për pranim të një kandidateje në një konkurs punësimi.” – thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Me aktvendim të prokurorëve kompetentë, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.