Arrestohet i dyshuari se u prezantua rrejshëm si zyrtar i FSK-së

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Vushtrri- Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar M.M (30-vjeçar) nën dyshimin se u prezantua rrejshëm si person zyrtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se arrestimi i të dyshuarit u bë në orët e mbrëmjes së të hënës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Në orët e mbrëmjes së datës 30 maj 2022, Njësia e Trafikut Rajonal gjatë kontrollit të trafikut rrugor në rrugën nacionale Mitrovicë-Prishtinë në segmenti rrugor në Vushtrri, ka ndaluar një veturë me targa të Serbisë në të cilën ndodhej i dyshuari dhe një dëshmitarë M/K/S, ku gjatë legjitimit i dyshuari M. M., 30 vjeçar, ka paraqitur një dokument si person zyrtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, në veturën e të dyshuarit janë gjetur shtatë helmeta të punës, ku pesë prej tyre ishin me mbishkrim të shkronjës (Z).

Policia bën të ditur se gjatë verifikimit, ka rezultuar se i dyshuari ka paraqitur dokument të rremë dhe si prova materiale nga i njëjti janë sekuestruar kartela dhe një çantë krahu.

“Për veprimet e ndërmarra është informuar prokurori i rastit, i cili ka urdhëruar që rasti ndaj të dyshuarit të iniciohet për vepër penale “Prezantim i rremë si person zyrtarë” ndërsa pas intervistimit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në fund të njoftimit. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë