Arrestohet i dyshuari se theri me thikë një të mitur në Skenderaj

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Skenderaj- Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar një person, nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje, e theri me thikë një të mitur.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:00 në Skenderaj, ndërsa i pandehuri dyshohet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Arrestimi i të dyshuarit është bërë mbi dyshimet dhe provat e siguruara se personi i dyshuar pas një mosmarrëveshje me një mjet të mprehtë (thikë), ka lënduar viktimën të moshës së mitur. Ndërsa në cilësi të provës materiale nga i dyshuari është konfiskuar mjeti i dyshimtë (thika)”, thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se policia ishte njoftuar se katër persona në një barnatore kishin blerë medikamente mjekësore dhe se nuk kishin sqaruar se për çfarë iu nevojiteshin.

“Mbi bazën e këtij informacioni policia ka ndërmarrë veprime operativo-hetimore në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë karakterizuar rastin, si rezultatet i veprimeve të shpejta hetimore fillimisht është identifikuar viktima dhe tre dëshmitarë të cilët kanë tentuar që duke blerë medikamente mjekësor lëndimin ta trajtojnë vetë dhe mos të paraqesin– lajmërojnë rastin. Të lënduarit (viktimës) i është ofruar tretman mjekësor”, thuhet tutje.

Bëhet e ditur se lidhur me rastin janë intervistuar tre dëshmitarët, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me urdhër të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt dhe ndaj tij është iniciuar rast për veprën penal “Lëndim i lehtë trupor”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë