Arrestohet edhe një person tjetër në Pejë për shkak të hapjes së lokalit

Peja 23 mars (1)
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Mars 23, 2020

Pejë – Edhe një person tjetër është arrestuar në Pejë, për shkak të mos zbatimit të masave parandaluese të Qeverisë së Kosovës për përhapjen e virusit COVID-19.

Arrestimin e fundit e ka konfirmuar, për “Betimin për Drejtësi”, prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

“Të arrestuarit i është mbyllur lokali dhe i është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh”, ka thënë Vuçetaj.

Ai dyshohet se ka kryer veprën penale “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), vepra penale “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, është e sanksionuar me burgim deri në 2 vite.

Në nenin 250 të KPRK-së thuhet se: “Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”. /BetimipërDrejtësi