Arrestohet edhe një biznesmen në Pejë për hapje të biznesit

37516443_126140304972409_5077102981158010880_n
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Mars 24, 2020

Pejë – Derisa numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 36 persona, paralelisht është duke u rritur edhe numri i të arrestuarve për shkak të moszbatimit të masave mbrojtëse të vendosura nga Qeveria e Republikës së Kosovës, me qëllim të parandalimit të përhapjes së virusit Covid-19.

Mbyllja e lokaleve, restoraneve dhe kafiterive, është njëra nga masat mbrojtëse e vendosur nga Qeveria, e cila në Komunën e Pejës deri më tani nuk është zbatuar në tërësi.

Në këtë drejtim, në pasditen e së hënës është bërë edhe arrestimi e radhës, përkatësisht arrestimi i personit të 15 në Pejë që nga 13 marsi.

Lajmin për “Betimi për Drejtësi” e ka konfirmuar prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj.

Deri më tani vetëm në rajonin e Pejës janë realizuar 18 arrestime ndaj pronarëve të bizneseve, tre prej tyre në Istog ndërsa të tjerat në Pejë.

Të gjithë po dyshohet se kanë kryer veprën penale sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), “mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë”, e sanksionuar me burgim deri në 2 vite.

Në nenin 250 të KPRK-së thuhet se: “Kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”. /BetimipërDrejtësi