Arrestohet 39-vjeçari në Ferizaj, dyshohet për kanosje të zyrtarëve policorë në seancë gjyqësore dhe jashtë gjykatës

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Ferizaj- Policia e Kosovës (PK) njofton se është arrestuar A.A (39-vjeçar) nën dyshimin për kanosje të zyrtarëve policorë gjatë seancë gjyqësore si dhe jashtë objektit të gjykatës.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se arrestimi i të dyshuarit erdhi pasi rreth orës 10:20 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se në rrugën “Sali Çeku” në Ferizaj është një rast i kanosjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas policisë, në lidhje me këtë policia e rendit menjëherë i ka marrë veprimet e nevojshme, ka dalë në vendin e ngjarjes dhe në rast janë kyçur Sektori Rajonal i Hetimeve, të cilët nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt i ka nisur hetimet.

“Personi me inicialet A.A (M/K) i moshës 39 vjeçar, gjatë seancës gjyqësore për një rast të kanosjes të zyrtarëve policor, që kishte ndodhur më 06.10.2019, ka kanosur zyrtarët policor, si të dëmtuar në këtë seancë. Kanosja ka vazhduar edhe jashtë objektit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, ku sërish i kishte kanosur dy zyrtarët policor, duke tentuar edhe ti sulmojë”, thuhet në njoftim.

Policia bën të ditur se të dyshuarin e ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit rajonal, me vendim të prokurorit të rastit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë