Arrestohet 26-vjeçari i dyshuar se ushtroi dhunë disa herë ndaj bashkëshortes dhe iku në drejtim të panjohur

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Ferizaj- Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar të dyshuarin Sh.Q (26-vjeçar), nën dyshimin se ushtroi dhunë disa herë ndaj bashkëshortes dhe iku në drejtim të panjohur.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi për medie nga policia, ku thuhet se Policia Rajonale e Ferizajt më 12 janar 2022 kishte pranuar një informacion se në rrugën “Tirana’’ në Ferizaj ishte një rast i dhunës në familje në progres .

“Në lidhje me këtë, policia i ka marrë veprimet e nevojshme dhe menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, mirëpo i dyshuari me inicialet SH.Q (M/K) 26 vjeçar, pasi kishte ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij për të disatën herë, kishte ikur nga aty në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, njësitet policore kishin dërguar viktimën në strehimore dhe për rastin ishin njoftuar prokurori dhe Mbrojtësi i Viktimave të Dhunës në Familje dhe Qendra për Punë Sociale.

“Policia Rajonale e Hetimeve, përkatësisht, Sektori Rajonal i Dhunës në Familje, pas një pune hetimore intenzive, sot rreth 09:00 në rrugën” Ramadan Ferizi” në Ferizaj, kanē arritur që ta arrestojnē të dyshuarin Sh.Q”, thuhet tutje në njoftim.

Bëhet e ditur se i njëjti është shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, është dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë