Arrestohen gjashtë persona në Mitrovicë për qarkullim me automjete pas orës 20:00

policia-2-780x439
Author

Raporton: Amir BUNJAKU

Mars 26, 2020

Mitrovicë – Të mërkurën, pas orës 20:00, janë arrestuar gjashtë persona në Mitrovicë nga Policia e Kosovës, për shkak të qarkullimit me automjete gjatë intervalit kohor të ndaluar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, si masë parandaluese ndaj virusit Covid-19.

Lajmin për “Betimin për Drejtësi” e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Njësitet Policore në Mitrovicë, në implementim të vendimit të Qeverisë për kufizim të lëvizjes së automjeteve dhe të personave për shkak të Virusit Covid-19, në intervalin kohor 20:00 deri 06:00, të datës 25 mars 2020, kanë ndaluar dhe arrestuar gjashtë persona”, ka thënë Zahiti.

Ndalimi i të dyshuarve, sipas Zahitit, ishte bërë në dy lokacione të qytetit të Mitrovicës.

Ai tha se rasti i parë kishte ndodhur në rrugën “Driton Veliu”, në ora 21:30, ku ishin arrestuar katër persona, kurse rasti tjetër kishte ndodhur në rrugën “Shemsi Ahmeti”, në orën 21:33, ku ishin arrestuar dy persona.

Lidhur me këta të arrestuar, “Betimi për Drejtësi” ka komunikuar me zëdhënësin për informim të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni.

Ai bëri të ditur se të arrestuarit me urdhër të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt.

Ndryshe, Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të 15-të, si masë parandaluese për përhapjen e virusit Covid-19, kishte marrë vendim për ndalimin e qarkullimit të qytetarëve dhe automjeteve private, nga 24 marsi 2020, gjatë intervaleve kohore 10:00 – 16:00 dhe 20:00 – 06:00, me përjashtim të rasteve për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë) dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore). /BetimipërDrejtësi