Arrestohen dy të dyshuar, njëri për vjedhje në një shkollë në Pejë e tjetri për blerje të gjësendeve të vjedhura

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Pejë- Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Pejë, ka arrestuar dy të dyshuar për veprat penale ‘Vjedhje e rëndë’, “Blerja, pranimi ose fshehja e sende te përfituara me kryerjen e veprës penale” dhe “Mbajtje ne pronësi kontroll dhe shfrytëzim te paautorizuara te armës”

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga policia, ku thuhet se dy ditë më parë, policia ka pranuar një informacion se në rrugën “Bajram Curri”, në SHMU “8 marsi” në Pejë, person/a të pa njohur kishin hyrë me forcë në objektin shkollor dhe nga aty kanë vjedhur dy televizora dhe një laptop, dhe më pas janë larguar në drejtim të panjohur, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas policisë, njësiti i hetimeve pranë Stacionit Policor në Pejë, pas një pune intensive operativo-hetimore, të mërkurën, kanë arritur të identifikojnë dhe arrestojnë të dyshuarin F.D. (viti i lindjes 1999).

“Pas intervistimit të personit të dyshuar, i cili dyshohet se ka kryer edhe disa vjedhje të tjera, në koordinim të plotë me gjykatën kompetente dhe prokurorin e shtetit është bërë kontroll/bastisja e shtëpisë së personit i cili kishte blerë sendet e vjedhura nga i dyshuari të cilat janë sekuestruar tre (3) televiziora, dy (2) laptopë dhe një (1) tastatur”, thuhet në njoftim.

Tutje, thuhet se gjatë bastisjes, tek i dyshuari (blerësi i sendeve) është gjetur arma (pistoleta) e tipit “Zoraki” kalibër 7.65 mm, një karikator i së njëjtës armë dhe dy fishekë të kalibrit 7.65mm, të cilat gjithashtu janë sekuestruar.

Bëhet e ditur se të dyshuarit, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë