Arrestohen dy pronarët e “Prishtina Jet”, dyshohen se mashtruan bashkatdhetarët me bileta fiktive

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prishtinë- Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton se janë arrestuar M.K dhe A.B, bashkëpronarë të Agjencionit Turistik “Prishtina Jet”, nën dyshimin se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga kjo Prokurori, ku thuhet se të dyshuarit u arrestuan pas zhvillimit të masave të fshehta dhe teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në koordinim me Policinë dhe ATK-në, si dhe pas aprovimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, nën udhëheqjen e prokurorit.

Aksioni në fjalë të enjten u realizua në një aksion në Prishtinë dhe Podujevë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohen se përmes paraqitjes së fakteve të rreme, përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet”, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi aktual, e të cilat fluturime nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit.

“Me këtë të dëmtuarve përpos dëmeve financiare u kanë shkaktuar edhe keqtrajtime psiqike, duke u maltretuar me familjarët e tyre nëpër aeroporte të ndryshme për realizimin e fluturimeve të premtuara rrejshëm nga të pandehurit”, thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se të njëjtit me urdhër të prokurorit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore, si dhe, veprime hetimore ndaj rastit në fjalë, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështje penale. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë