Arrestohen dy 17-vjeçarë në Ferizaj nën dyshimin se sulmuan një 40-vjeçar

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Ferizaj- Policia e Kosovës (PK) njofton se ka arrestuar E.Sh dhe Sh.N (17-vjeçarë) nën dyshimin se të njëjtit kishin sulmuar H.A (40-vjeç), duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Lajmi u bë i ditur përmes një njoftimi nga policia, ku thuhet se rasti kishte ndodhur të dielën, rreth orës 04:55, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me datën 12.06.2022 rreth orës 04:55 Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar një informacion se, në rrugën “Epopeja e Jezercit” në Ferizaj, kishte ndodhur një rast i lëndimit trupor, ku personi me inicialet H.A (M/K) i moshës 40 vjeçar kishte pësuar lëndime trupore nga dy persona, të cilit më pas kishin ikur nga vendi i ngjarjes dhe rasti fillimisht është cilësuar ” Lëndim trupor”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, i lënduari pasi ka marrë ndihmën e parë mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë.

“Njësia e Hetimeve të stacionit të policisë në Ferizaj, nën autorizim edhe të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Ferizaj, kishte nisur hetimet intensive dhe pas një pune hetimore, mbledhjes së informacioneve në terren, në po të njëjtën ditë, rreth orës 15:55 ka arrestuar dy të dyshuarit e kësaj ngjarje me inicialet E.SH ( M/K) dhe SH.N ( M/K), të moshave 17 vjeç. Pas intervistimit nga hetuesit policor, në prani të avokatëve mbrojtës dhe prindërve të tyre , me vendim të prokurorit të rastit, dy të dyshuarit janë ndaluar në mbajtje për 24 orë”, thuhet tutje.

Bëhet e ditur se rasti është ricilësuar “Lëndim i rëndë trupor”, për procedura të mëtejme hetimore. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë