Arrestohen 8 të dyshuar për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Policia e Kosovës (PK) ka arrestuar J.S (23 vjeçar), A.I (25 vjeçar), B.I (33 vjeçar), A.T (28 vjeçar), A.B (34 vjeçar), M.R (51 vjeçar), R.M (33 vjeçar) dhe S.M (38 vjeçar), nën dyshimin për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm.

Kjo u bë e ditur përmes një komunikate për medie nga policia, ku thuhet se arrestimi i të dyshuarve u bë pasi Policia Rajonale e Ferizajt ka pranuar informacion se në një lokal në fshatin Kosinë të Ferizajt, dyshohet se disa persona janë duke zhvilluar aktivitet joligjor, duke luajtur bixhoz, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Njësitet reaguese dhe hetuesit e stacionit policor të Ferizajt, menjëherë ju kanë përgjigjur këtij informacioni dhe kanë identifikuar lokalin e dyshuar, ku aty kanë hasur tetë persona duke luajtur bixhoz”, thuhet në njoftim.

Sipas policisë, janë marrë veprimet e duhura hetimore, duke bërë fotografimin si dëshmi materiale, të 405 çipave që konvertohen në shuma të caktuara të parave gjatë lojës, 7 palë të letrave që janë përdorur për të luajtur bixhoz, po ashtu një fletore që të dyshuarit ishin duke e përdorur për të shënuar aktivitetin e tyre gjatë kësaj loje të paligjshme, të cilat janë konfiskuar.

“Pasi janë kontrolluar personat e dyshuar, të njëjtit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacionin policor në Ferizaj”, thuhet tutje në njoftim.

Bëhet e ditur se pas intervistimit nga policët e Njësisë së Hetimeve, me vendim të Prokurorit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj, tetë të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, për procedura të mëtejme hetimore. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë