ARKATARI I PTK-SË SËRISH PRANON FAJËSINË, AKTGJYKIMI SHPALLET MË 25 SHKURT

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë – Shemsi Mehmeti i akuzuar për veprën penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës në Postë dhe Telekomin e Kosovës (PTK), në fshatin Bardh i Madh të Fushë Kosovës, të hënën, sërish ka pranuar fajësinë para trupit gjykues. Mehmeti akuzohet se në cilësinë e personit zyrtar – arkëtarit në PTK në Bardh të Madh të Fushë Kosovës, kishte përvetësuar paratë që i ishin besuar në bazë të detyrës. Sipas aktakuzës, paratë nga pazari javor nga shitja e kartelave gërvishtëse, mbushjeve elekronike të telefonave, shitjes së pullave postare dhe shitja e SIM kartelave, në shumën prej 17.998,60 euro, i akuzuari edhepse kishte pasur obligim t’i deponone në ‘’Raiffeisen Bank”, i njëjti këto para nuk i kishte deponuar, por i kishte ndaluar për vete, duke dëmtuar PTK-në për shumën e cekur më lartë.

Prokurorja e cila përfaqëson këtë akuzë në këtë fazë të procedurës, Fikrete Fejzullahu, tha se qëndron pranë deklaratës së dhënë në fjalën përfundimtare më 24 prill 2014. Njëjtë u deklaruan edhe i akuzuari Mehmeti dhe mbrojtësi i tij, avokati Nysret Mjeku, të cilët thanë se qëndrojnë prapa deklaratës së dhënë në fjalën përfundimtare. Avokati Mjeku, ka kërkuar nga trupit gjykues që të ketë mirëkuptim, pasi sipas tij, nga kjo vepër penale i akuzuari nuk ka përfituar asnjë dobi pasurore dhe i njëjti insistoj se kjo vepër penale është parashkruar.

Gjyqtarja Shadije Gërguri, ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit për këtë rast do të bëhet më 25 shkurt 2016, në orën 09:00.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë