ARDIAN SADIKU DEKLARON SE NUK KA DËMTUAR ASNJË CENT KOMPANINË “BELKOS”

Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

Prishtinë- Një nga tre të akuzuarit për përvetësim në detyrë, Ardian Sadiku, ka dhënë mbrojtjen e tij në seancën e mbajtur të martën në Prishtinë. Së bashku më të, në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar  edhe dy ish punëtorë tjerë të kompanisë “BELKOS”, Ismet Jashari dhe Besnik Jashari.

Gjatë marrjes në pyetje nga palët në procedurë, i akuzuari Ardian Sadiku deklaroi se nuk ka marrë asnjë cent të kompanisë “BELKOS” dhe se nënshkrimi në ato dëftesa nuk është i tij. Për këtë ai kërkoi nga gjykata që të bëhet një ekspertizë  dhe të dëshmohet e kundërta.

Sadiku bëri të qartë se në momentin kur kishte filluar punën për kompaninë “BELKOS”, ishte caktuar për gjysmën e territorit të Prishtinës dhe një pjesë të Lipjanit, por asnjëherë nuk kishte punuar në territorin e Mitrovicës. Madje lidhur me detyrat e tij si komercialist deklaroi se vetëm i ka marrë porositë nga ana e blerësve përmes mjetit teknik të quajtur GPS dhe kjo sipas tij ka qenë detyra e vetme.

Tutje i akuzuari shtoi se kompania “BELKOS”me pronarin Shani Dermala e kishte larguar nga puna si hakmarrje e të njëjtit, pasi bashkë me Besnik Jasharin nuk kishin dalë në terren, si shenjë revolte për mospërmbushje të marrëveshjes nga ana e kompanisë. Kjo pasi që marrëveshja ishte bërë për arritjen e targetit, ku me arritjen e së cilës do kishin përfitime në pagë.
Madje i njëjti deklarohet para gjykatës se është dëmtuar nga kjo mospërmbushje e marrëveshjes, pasi ishte rritur përqindja për sasinë e shitjes së mallit apo targetit e kjo me qëllim që mos të përfitojnë komercialistët. “Me 30 nëntor 2010, në kohën kur kisha filluar punë në terren, përkatësisht në Kolovicë të Prishtinës, më kanë thirrë në telefon dhe më kanë thënë që t’i dorëzoj të gjitha dokumentet dhe bllokun me numrat serik si dhe veturën e kompanisë dhe nga ajo ditë nuk kam marrë asnjë pagesë nga blerësit”, tha Sadiku.

Ai shtoi se largimin e tij nga puna pronari i kompanisë “BELKOS” Dermala e kishte arsyetuar për shkak të mosbindjes dhe të mos daljes në punë për tre dite. Mirëpo një vendim të tillë nuk e kishte pranuar asnjëherë me shkrim deri në momentin kur prokuroria i’a kishte dorëzuar së bashku me shkresat e lëndës.

Seanca e ardhshme, gjatë së cilës do të japin mbrojtjen e tyre dy të akuzuarit tjerë, u caktua për datën 4 korrik 2016 në ora 09:30.

Sipas aktakuzës së datës 24 nëntor 2014, të pandehurit Ismet Jashari, Ardian Sadiku dhe Besnik Jashari, akuzohen për kryerjen e veprës penale ”përvetësimi në detyrë”. Në dispozitiv thuhet se Ardian Jashari  sa ishte duke punuar si menaxher i kompanisë ”BELKOS” SH.P.K. në Prizren, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përvetësuar pasurinë e të njëtës kompani nëpër qendra të ndryshme tregtare në Lipjan, Prishtinë dhe në Mitrovicë dhe atë në shumën prej 3.744,31 euro. Ndërsa Ardian Sadiku si komercialist në kompaninë “BELKOS”, ka përvetësuar mjete nga kompania në fjalë nëpër qendra të ndryshme tregtare në LIpjan, Prishtinë dhe në Mitrovicë,në shumën prej 1.893,63 euro, para të cilat i ishin besuar të njëtit për shkak të pozitës së tij. Në anën tjetër, Besnik Jashari si komercialistit dhe kontabilist në këtë kompani në mënyrë të kundërligjshme ka përvetësuar shuëmn prej 1.607,14 euro në territorn e Prishtinës dhe Mitrovicës.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë