Arben Hoti: Nuk ka asnjë dyshim se vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është vepër klasike e korrupsionit

Hoti
Author

Raporton: “Betimi për Drejtësi”

Prill 30, 2021

Prishtinë – Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Arben Hoti, tha se nuk ka dyshim se vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është vepër klasike e korrupsionit.

“Nuk ka asnjë dyshim se vepra penale e keqpërdorimit të detyrës zyrtare është vepër klasike e korrupsionit, ku përfshihet një zyrtar. Është e vetmja për të cilën akuzohen zyrtarët publik”, ka deklaruar Hoti gjatë tryezës virtuale të organizuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në të cilën u publikua raporti i monitorimit të rasteve të korrupsionit për vitin 2020.

Se vepra e lartpërmendur është vepër korruptive deklaruan edhe kryetari i Gjykatës Supreme dhe ai i Gjykatës së Apelit.

Kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Enver Peci, tha se kapitulli 23 i Kodit Penal përcakton veprat penale të korrupsionit zyrtar dhe veprat penale kundër detyrës zyrtare, i cili starton me atë “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

“E kemi kodin përpara dhe a është i mirë a i keq, kodi na ka thanë që është vepër e korrupsionit”, deklaroi ai.

Edhe kryetari i Gjykatës së Apelit, Hasan Shala, tha se nuk ka asnjë dyshim se kjo vepër penale hyn në kuadër të kapitullit të korrupsionit.

“Nuk ka dyshim se keqpërdorimi i detyrës zyrtare hyn në vepra të karakterit korruptiv”, u shpreh Shala.

Ndryshe, gjatë vitit 2020, IKD ka monitoruar gjithsej 240 raste të korrupsionit, me 643 të akuzuar gjithsej. Për këto raste të korrupsionit, IKD ka monitoruar 744 seanca gjyqësore të cilat ishin caktuar. /BetimipërDrejtësi