Aprovohet propozimi i Ndërmarrjes Publike Banesore, caktohet ekspertizë gjeodezike në çështjen për anulim kontrate

Pallati i Drejtesise, Prishtine, 03.06.15. Photo:Atdhe Mulla
Author

Raporton: Nuraje BLLACA

Prill 8, 2021

Prishtinë – Në Gjykatën  Themelore  në  Prishtinë, është aprovuar propozimi i paditëses Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), për dalje në terren së bashku me ekspertin gjeodet, me qëllim të përcaktimit të dimensioneve të banesës kontestuese.

Gjykatësi Dardan Kadolli, propozimin e tillë e ka aprovuar gjatë seancës të së enjtes, kurse dalja në terren me ekspertin gjeodet u caktua më 18 maj 2021, në ora 14:00.

Sipas gjykatësit, për ekspert u caktua Adem Ahmetaj dhe i njëjti do të bëjë identifikimin dhe matjen e banesës kontestuese si dhe do të paraqet edhe historiatin e pronës nëse ekziston, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Po ashtu, përfaqësuesja e paditëses, Fatime Islami, gjatë kësaj seance deklaroi se mbetet në tërësi pranë padisë dhe kërkesëpadisë dhe e ka potencuar edhe njëherë në gjykatë se sipas saj, paditësja është pronare e banesën lëndore dhe se pronësinë e kanë fituar në bazë të kontratës për ndërrimin e banesave e lidhur nga NPB-ja dhe Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës.

Më pas, Islami shtoi se e paditura Ndërmarrja për bartjen e punëtorëve Autotransport, pa asnjë bazë, banesën në pronësi të paditëses ia ka shitur Mitroviq Radinkes.

‘‘Ndërsa në përgjigje në padi, e paditura thotë se nuk është palë në procedurë sepse nuk ka ekzistuar, shtrohet pyetje si kjo ndërmarrje nuk ka ekzistuar në vitet e 90-ta kur në kontratën e mësipërme është po e njëjta si shitëse, sikurse edhe sot’’, tha përfaqësuesja e paditëses.

Tutje, në pyetjet e gjykatësit Kadolli se a janë kontratat që kërkojnë anulimin e tyre të vërtetuara në gjykatë dhe mbi çfarë baze kërkoni anulimin e këtyre kontratave, përfaqësuesja e paditëses u përgjigj se po janë të vërtetuara dhe kërkojmë anulimin e tyre sepse banesa është shitur nga jo pronari.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e të paditurës, Luljeta Jashari ka deklaruar se të paditurën të cilën e përfaqëson daton që nga viti 2006 dhe që Autotransporti ka qenë nën ombrellën e KEK-ut përafërsisht nga viti 1968, ndërsa në vitin 2006 Autotransporti është shndërruar në shoqëri aksionare, andaj sipas saj, e paditura nuk mund të përgjigjet për detyrimet përtej kësaj date.

Kurse, në pyetjen e gjykatësit Kadolli se a e kontestoni se në vitin 1993 është lidhur një kontratë nga autotransporti dhe Mitroviq Radinkes për shitjen e banesës kontestuese, përfaqësuesja e të paditurës u përgjigj se e konteston si të tillë.

Ndryshe, sipas padisë së ngritur më 2 dhjetor 2011, paditësja Ndërmarrja Publike Banesore (NPB), ka kërkuar anulimin e kontratave, ndaj të paditurës Ndërmarrja për bartjen e punëtorëve Autotransport.

Në padi, thuhet se NPB-ja është pronare e banesës e cila gjendet në Prishtinë, e që këtë pronësi e ka fituar në bazë të kontratës mbi ndërrimin e pronësisë së banesave e lidhur në mes të NPB dhe Këshillit Ekzekutiv të Kuvendit të Kosovës.

Tutje, sipas padisë, e paditura Autotransporti, pa asnjë bazë ligjore ia ka shitur banesën kontestuese Mitroviq Radinkes më 25 shkurt 1993, ndërsa ky i fundit ia ka shitur Bajram Shalës më 12 qershor 2000, e që Bajram Shala, banesën e lartpërmendur ia ka shitur personit të tretë, Faik Bekteshit më 3 qershor 2005.

Mbi këtë bazë, paditësja NPB, po kërkon të shpallet nule kontrata mbi shitblerjen e banesës e datës 25.03.1993, e lidhur në mes Ndërmarrjes Autotransporti, si shitës në njërën anë dhe Mitroviq Radinkes, si blerës në anën tjetër.

Gjithashtu, po kërkon të shpallet nule kontrata mbi shitblerjen e banesës e datës 12.06.2000, e lidhur në mes Mitroviq Radinkes, si shitës në njërën anë dhe Bajram Shalës, si blerës në anën tjetër si dhe shpalljen nule të kontratës e datës 03.06.2005 e lidhur në mes të Bajram Shalës, si shitës në njërën anë dhe Faik Bekteshit, si blerës në anën tjetër.

Paditësja, me padi po kërkon që e paditura të detyrohet që të lirojë nga njerëzit dhe sendet banesën kontestuese. /BetimipërDrejtësi