Aprovohet pjesërisht kërkesëpadia e zv/kryeprokurores Morina, do t’i marrë 2 mijë e 500 euro nga ish-prokurori Hoxha për shpifje e fyerje

Raporton: Blinerë BEKA

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar pjesërisht kërkesëpadinë e zëvendëskryeprokurores së shtetit, tani paditëses Sevdije Morina duke detyruar ish-prokurorin e Prokurorisë Speciale, të paditurin Sylë Hoxha, t’ia paguajë shumën prej 2 mijë e 500 euro.

Ky vendim u mor nga gjykatësi Përparim Zeka, në rastin ku Morina e kishte paditur Sylën për shpifje e fyerje ndaj saj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Është iniciuar shkarkimi im nga dy prokurorë, znj. Sevdije Morina, e cila vazhdon atë që kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989″, kishte deklaruar i padituri Hoxha, në një konferencë për medie të datës 16 mars 2015.

Ndërkaq, për këtë deklarim, i padituri Hoxha në përgjigjen e tij në padi kishte thënë se kjo deklaratë nuk është fyerje, por fakt i pakontestueshëm.

Sipas vendimit të gjykatës, pjesa tjetër e kërkesëpadisë për kompensimin e shumës 17 mijë e 500 euro dhe kërkesa që i padituri Hoxha publikisht t’i kërkojë falje paditëses për shpifje dhe fyerje, refuzohen si të pathemelta.

Në arsyetimin e këtij aktgjykimi, thuhet se gjykata deri tek ky vendim ka ardhë duke u bazuar në dispozitat e Ligjit Civil Kundër Shpifjes dhe Fyerjes.

Kjo, sipas gjykatës, duke u bazuar në nenin 3 pika b, nenin 5 par.1 dhe par.3, pastaj në Ligjin për Marrëdhënie të Detyrimeve, respektivisht neni 182 dhe neni 14 par.1.

Tutje, në arsyetim thuhet se sipas vlerësimit të gjykatës, pjesa e deklaratës që i referohet paditëses, përmban në vete gjuhë të tepruar fyese, e cila tejkalon nevojën e lejueshme për kritikë dhe del jashtë çdo fushëveprimi të lirisë së shprehjes.

Gjithashtu, thuhet se gjykata ka vlerësuar se deklaratat e publikuara nga i padituri ishin sulm personal për personalitetin e paditëses, pa qenë të provokuara nga sjellja e mëparshme e paditëses, duke rënë në kundërshtim me elementet bazë të lirisë së shprehjes dhe është sulm ndaj të drejtave themelore të personalitetit të paditëses.

Ndryshe, sipas padisë së parashtruar më 5 maj 2015, thuhet se i padituri, Sylë Hoxha më 16 mars 2015, në konferencën e organizuar për shtyp të mbajtur në sallën e takimeve në ish-ndërtesën e Bankës së Lubjanës në Prishtinë, në cilësinë e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, ka fyer rëndë dhe ka shpifur të pavërteta kundër paditëses Sevdije Morina, si anëtare e Këshillit Prokurorial, prokurore dhe ushtruese e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale.

Siç thuhet në padi, i padituri në konferencën për medie, fyen paditësen dhe familjen e saj duke thënë “Është iniciuar shkarkimi im nga dy prokurorë, Znj. Sevdije Morina, e cila vazhdon atë që e kishte filluar Rrahman Morina në vitin 1989 dhe mbështetur nga Idain Ismajli, i cili gjatë viteve të nëntëdhjeta ka shërbyer si gjyqtar deri në kohën e pak para vitit 1999, dhe i njëjti i ka shërbyer regjimit të Sllobodan Millosheviqit dhe ka zbatuar ato ligje diskriminuese të cilat ne i luftonim me mjete paqësore deri në vitin 1997”.

Sipas padisë, më këtë i padituri Hoxha, ka fyer rëndë paditësen dhe familjen e saj, duke aluduar në familjarë të cilët nuk jetojnë për një çerek shekulli dhe duke u transmetuar fyerja e të paditurit në të gjitha mediet elektronike dhe të shkruara ka bërë që paditësja të ndihet keq në vendin e punës, në familje dhe në rrethin ku jeton, duke i shkaktuar dëm shumë të madh për pozitën që mban si prokurore.

Tutje në padi thuhet se njëkohësisht, në të njëjtën konferencë i padituri publikisht shpif kundër paditëses se kinse paditësja si ushtruese e detyrës së kryeprokurores së Prokurorisë Speciale, me veprimet e saj ka dëmtuar qytetarët dhe Republikën e Kosovës, duke u takuar me Prokurorinë për Krime Lufte në Serbi dhe duke u dhënë atyre informacione në bazë të të cilave Prokuroria për Krime Lufte në Serbi ka lëshuar fletëarreste ndaj qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Në bazë të padisë thuhet se i padituri shpif me qëllim të dëmtimit të reputacionit të paditëses si prokurore dhe ushtruese e detyrës së Kryeprokurores duke e ditur se ajo informatë nuk është e vërtetë por është pikërisht e kundërta e saj.

Gjithnjë sipas padisë, thuhet se pretendimet e të paditurit nuk qëndrojnë me arsyetimin se i njëjti e ka ditur që deri më 30 maj 2015 kompetencat e Prokurorisë Speciale te Kosovës kanë qenë në duart e prokurorëve të EULEX-it, dhe prokurorët e Prokurorisë Speciale nuk kanë pasur asnjë kompetencë dhe nuk kanë zhvilluar asnjëherë kurrfarë takimesh me Prokurorinë për Krime Luftë në Serbi.

Në padi thuhet se paditësja përkundër kësaj që ka fyer i padituri, e njëjta pas bartjes së kompetencave në Prokurorinë Speciale, i është drejtuar Departamentit për Bashkëpunim Juridik Ndërkombëtar në Ministrinë e Drejtësisë, me përgjigje në letër porosinë e Serbisë duke kërkuar nga Departamenti përkatës i Ministrisë së Drejtësisë që të mos i procedojnë rastet e tilla asnjëherë kur kemi të bëjmë me shtetas të Republikës së Kosovës.

Sipas padisë, i padituri duke vepruar në kundërshtim me Ligjin Kundër Shpifjes dhe Fyerjes, është përgjegjës për shpifje dhe fyerje ndaj paditëses, duke i shkaktuar dëm moral dhe dëmtim të reputacionit nga shpifja dhe fyerja, pasi të njëjtat janë bërë përmes mjeteve të informimit publik, dhe në takim publik.

Andaj, në padinë thuhet se paditësja kërkon nga gjykata që të nxjerr aktgjykim me anë të së cilit detyrohet i padituri Sylë Hoxha që paditëses Sevdije Morina t’ia paguajë shumën prej 20 mijë euro, për dëmin moral, cenimin e reputacionit dhe personalitetit të saj, me kamatë ligjore nga data e shkaktimit të dëmit e deri në pagesën përfundimtare. /BetimipërDrejtësi

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë