Aprovohet padia, firma obligohet ta kthejë në punë paditësin dhe t’ia kompensojë të gjitha pagat

12 (1)
Author

Raporton: Shqiponjë GASHI

Shkurt 13, 2020

PrishtinëGjykata Themelore në Prishtinë e ka aprovuar kërkesëpadinë e ish-agjentit të shitjes në firmën “Liridoni”, me seli në Prishtinë, Muhamet Pacolli, i cili kishte kërkuar kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave.

Në padinë që ai kishte ushtruar në vitin 2015, paditësi Pacolli, thotë se sipas kontratës, nga 28 nëntori 2012, ka pasur statusin e punëtorit me afat të pacaktuar, por ai ka pretenduar se ishte larguar nga puna, pa asnjë njoftim.

Me aktgjykimin e 3 shkurtit 2020, thuhet se aprovohet në tërësi si e bazuar kërkesëpadia e paditësit Pacolli, me të cilën ai kishte kërkuar kthimin në vendin e punës dhe kompensimin e pagave sipas kontratës së punës me afat të pacaktuar, të datës 4 maj 2014, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata e ka obliguar të paditurën N.T “Liridoni”, me pronar Zekë Jasiqi, që paditësin Pacolli, ta kthej në vendin e punës sipas kontratës së punës dhe atë ta kompensojë për çdo muaj shumën prej 550 euro bruto, në emër të pagës mujore të parealizuar, për periudhën kontestuese më 1 maj 2015, deri në datën e kthimit në punë.

Gjithashtu, N.T “Liridoni” është detyruar që paditësit t’ia kompensojë edhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 374 euro, të gjitha këto në afat prej shtatë ditësh, nga dita e marrjes së aktgjykimit, nën kërcënim të përmbarimit të dhunshëm.

Në aktgjykim thuhet se mbështetur në dispozitat e nenit 8 të LPK-së, dhe konstatimit të fakteve jokontestuese dhe atyre kontestuese, gjykata gjeti se kërkesëpadia e paditësit është e bazuar me arsyetimin se nuk ishte kontestuese se paditësi ka qenë i punësuar me kontratë pune te e paditura në pozitën “agjent i shitjes” sipas kontratës së lidhur më 4 maj 2014, ku gjykata e kishte konstatuar se e njëjta ishte nënshkruar nga të dyja palët dhe se ka mbajtur vulën e të paditurës.

Po ashtu, në aktgjykim thuhet se në bazë të padisë dhe deklarimeve të dëgjuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, gjykata ka konstatuar se paditësit i është ndaluar vajtja në punë pas 30 prillit 2015, dhe për këtë, i njëjti nuk kishte pranuar ndonjë njoftim apo vendim formal të shkruar për të cilin e paditura obligohet sipas Ligjit të Punës, nenit 72 paragrafi 1 dhe 2. të cilët përcaktojnë se “vendimi për ndërprerë kontratën e punës duhet të bëhet me shkrim dhe duhet të përfshijë arsyetimin për ndërprerje”, “ vendimi nga paragrafi 1, i këtij neni është përfundimtar ditën kur i dorëzohet të punësuarit”.

Gjithashtu, në aktgjykim thuhet se pala e paditur nuk kishte prezantuar prova të vajtjes dhe ardhjes në punë të punëtorëve, dhe nuk kishte prezantuar dëshmi relevante me të cilat mund të bazohen pretendimet e tij se nuk e ka larguar nga puna paditësin, ndërsa deklaratës së dëshmitares Vitjana Kastrati, gjykata nuk ia kishte falur besimin, me arsyetimin se ajo nuk e kishte bërë të besueshëm faktin se vetë paditësi e ka ndërprerë njëanshëm marrëdhënien e punës.

Andaj, sipas aktgjykimit, gjykata në bazë të nenit 8, të Ligjit të Punës, për procedurën kontestimore dhe provave të paraqitura, e me qenë se e paditura nuk prezantoi prova bindëse me të cilat pretendimet e saj mund të konsiderohen të bazuara si për nga Ligji i Punës ashtu edhe për nga ndarja e përgjegjësive brenda biznesit individual, gjykata i fali besimin pretendimeve të paditësit.

Ndërsa, sa i përket të drejtës materiale, gjykata e ka caktuar në bazë të kontratës së punës dhe në bazë të nenit 8, kompensimin ndaj paditësit nga marrëdhënia e punës si agjent i shitjes, me lartësi të pagës 550 euro në muaj, duke e llogaritur nga 1 maj 2015, deri në nxjerrjen e këtij aktgjykimi.

Kurse, gjithnjë sipas këtij aktgjykimi, vendimin që pala e paditur t’i bartë shpenzimet e procedurës gjykata e ka mbështetur në dispozitat ligjore nga neni 449 dhe 452, paragrafi 1 të LPK-së, ndërsa shuma e caktuar është bazuar në bazë të Tarifës së Odës së Avokatëve.

E sa i përket pretendimit që padia e paditësit ishte parashtruar jashtë afatit ligjor, thuhet se gjykata ka llogaritur afatshmërinë e padisë sipas ligjit të zbatuar, nga data e parashtrimit të kërkesës së 12 qershor 2015, e deri në datën e ushtrimit të padisë 10 korrik 2015, dhe në bazë të nenit 78, paragrafi 2, lidhur me nenin 79, të Ligjit të Punës, ka konstatuar se padia e paditësit është e afatshme.

Ndryshe, në seancën e shqyrtimit kryesor që ishte mbajtur më 21 janar 2020, ishte dhënë fjala përfundimtare nga palët ndërgjygjgjese.

E në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësit, avokati Naim Haliti kishte thënë se paditësit pa bazë ligjore i është ndërprerë marrëdhënia e punës.

Ai kishte thënë se paditësi nuk e kishte shprehur dëshirën për shkëputjen e marrëdhënies së punës, për faktin se për shkak të pengimit të kryerjes së detyrave të punës, ku sipas tij e ka kontratën me kohë të pa caktuar, siç tha ai paditësi paraprakisht iu ishte drejtuar punëdhënësit me kërkesë.

Me anë të kësaj kërkesë, ai kishte thënë se paditësi kishte kërkuar nga punëdhënësi shpjegime pse nuk i mundësohej atij kryerja e punëve, pasi që ndaj tij nuk ishte zhvilluar asnjë procedurë për largimin nga puna, përkatësisht shkëputjen e kontratës.

Po ashtu, ai kishte thënë se kjo ishte vërtetuar edhe nga fakti se e paditura nuk kishte evidencë të ardhjes së punëtorëve në punë.

Andaj, ai i kishte propozuar gjykatës që të aprovohet në tërësi padia dhe kërkesëpadia e paditësit dhe të konstatohet se ai është në marrëdhënie pune sipas kontratës së punës, dhe t’i mundësohet realizimi i të drejtave nga statusi prej 1 maj 2015, ku siç kishte thënë ai, që paditësi e kishte marr rrogën e fundit për muajin prill.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Shpend Bokshi, kishte thënë se e paditura nuk ka pasur mundësi të zhvillojë ndonjë procedurë për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, sepse sipas tij, paditësi e kishte lëshuar punën vet, ku siç kishte thënë ai, që nga data 30 prill, i njëjti nuk ishte paraqitur në punë.

Ai kishte shtuar se padia e paditësit ishte paraqitur jashtë afateve ligjore, dhe se sipas tij, me dëshminë e dëshmitares Kastrati është vërtetuar se paditësi nuk ishte larguar nga puna, por ai e kishte lëshuar me dëshirë punën.

Sipas padisë së ushtruar më 13 korrik 2015, thuhet se paditësi Muhamet Pacolli, te e paditura N.T “Liridoni”, me seli në Lipjan, ka pas statusin e punëtorit me kohë të pacaktuar si agjent i shitjes, që nga data 28 nëntor 2012, në bazë të kontratës së punës.

Siç thuhet në padi, paditësit nuk i mundësohet t’i kryej punët dhe detyrat e punës, për të cilat ka themeluar marrëdhënie pune, i cili nuk ka marr kurrfarë njoftimi me shkrim, mbi arsyet e sjelljes së të paditurës ndaj tij.

Sipas padisë, paditësi me shkrim i ishte drejtuar menaxherit të të paditurës që të njoftohet për arsyet e pengimit të kryerjes së punëve, por për këtë ai nuk kishte marr përgjigje.

Përmes kësaj padie, ai ka kërkuar nga gjykata që ta obligojë të paditurën që në bazë të kontratës më kohë të pacaktuar t’i mundësohet atij kryerja e punëve tek e paditura. /BetimipërDrejtësi