Aprovohet padia e 69 ish-mësimdhënësve, Komuna e Pejës obligohet të paguajë mbi 160 mijë euro paga përcjellëse dhe jubilare

Pejë
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Janar 21, 2020

Pejë – Komunës së Pejës do t’i kushtojë mbi 160 mijë euro, padia që 69 ish-mësimdhënës kishin ushtruar ndaj saj.

Këta ish-mësimdhënës, pas daljes së tyre në pension, kanë kërkuar kompensimin e tri pagave jubilare dhe tri pagave përcjellëse, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo komunë, është obliguar që atyre t’ua paguajë këto paga, pasi që për një gjë të tillë, ka vendosur Gjykata Themelore në Pejë, e cila e ka aprovuar pjesërisht padinë e tyre,

Sipas aktgjykimit të gjykatësit të çështjes, Veton Ademaj, shuma më e vogël që një paditës do të kompensohet është 991.82 euro, derisa shuma më e lartë që është aprovuar, kap vlerën prej 3.069.75 euro.

Po ashtu, sipas këtij aktgjykimi, Komuna e Pejës është obliguar që paditësve t’ua paguajë edhe kamatën ligjore prej 8% në vit, nga dita e marrjes së këtij aktgjykimi, si dhe shpenzimet e përgjithshme procedurale, në shumë prej 2,540 euro.

Në aktgjykim thuhet se Gjykata e Pejës e ka vërtetuar faktin se paditësit kishin qenë në marrëdhënie pune tek e paditura deri në moshën e pensionimit, e për të cilin fakt, siç thuhet në aktgjykim, Komuna e Pejës, nuk u kishte paguar tri pagat përcjellëse dhe shpërblimin jubilar.

“Një e drejtë e tillë ishte e argumentuar dhe e bazuar në dispozitat e Kontratës Kolektive të Arsimit Parauniversitar, të nënshkruar nga MASHT-i dhe SBASHK-u, me datë 11.04.2014, e cila ka hyrë në fuqi me datë 01.01.2015, andaj gjykata e detyroi të paditurën, që paditësve t’iu paguajë pagat në emër të shpërblimit jubilar sipas përvojës së punës që kishin arritur deri në momentin e pensionimit, si dhe pagat për përcjellje në pension, në lartësi të tri pagave të fundit të cilat i kanë realizuar këtu paditësit, si në dispozitiv të këtij aktgjykimi”, thuhet ndër të tjerash në arsyetimin e këtij aktgjykimi, që përmban rreth 100 faqe.

Ndërsa, sipas aktgjykimit, paditësit Isa Loci, i është refuzuar pjesërisht si e pabazuar padia, sa i përket një page jubilare dhe atë në vlerë prej 385.80 euro, me arsyetimin se ai nuk e ka vërtetuar me asnjë provë se kishte 10 vjet përvojë pune.

Ndryshe, 69 ish-mësimdhënësit i ka përfaqësuar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), përkatësisht nga zyrtari ligjor i saj, Blendor Shatri.

Ata këtë padi, e kanë ushtruar më 24 janar 2017, duke e paditur Komunën e Pejës, përkatësisht Drejtorinë e Arsimit në këtë komunë.

Këta ish-mësimdhënës kanë kërkuar nga kjo komunë që secilit t’iu paguhen tri pagat përcjellëse dhe shpërblimin jubilar, me rastin e pensionimit.

Në padi thuhet që pasi që e paditura ka refuzuar që t’iu paguajë këto paga, të njëjtit kanë ushtruar padi në Gjykatën Themelore në Pejë, dhe përmes saj kanë kërkuar që secilit t’i kompensohen tri pagat përcjellëse dhe shpërblimi jubilar, e që shuma e përgjithshme është 160,947,78 euro. /BetimipërDrejtësi