Aprovohet marrëveshja për pranimin e fajësisë në rastin e të akuzuarit për organizim të paligjshëm lojërave të fatit  

xx
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Korrik 31, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti,  të mërkurën, e ka aprovuar marrëveshjen për pranim të fajësisë, në rastin e të akuzuarit për organizim të paligjshëm të skemave piramidale dhe bixhozit, Gentrit Ademi.

Kjo marrëveshje ndërmjet të akuzuarit dhe Prokurorisë Themelore në Gjilan, ishte arritur më 26 korrik 2019, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokurorja Rozelida Manastiri tha se në bazë të kërkesës së të akuzuarit Ademi, përmes mbrojtësit së tij, avokatit Xhymshit Xhymshiti, kanë arritur marrëveshje për pranimi të fajësisë.

Këtë marrëveshje, prokurorja Manastiri e ka prezantuar në gjykate, me ç’rast ka kërkuar nga gjykata që ajo të aprovohet.

Mirëpo, avokati Xhymshiti, i cili e ka përfaqësuar palën kur është arritur marrëveshja, e ka njoftuar gjykatën se nuk mund të paraqitet në seancën e së mërkurës, për çka Oda e Avokatëve të Kosovës e ka caktuar sipas detyrës zyrtare, avokatin Granit Ramadani, si mbrojtës të të akuzuarit.

Avokati Ramadani deklaroi se janë plotësuar të gjitha kushtet ligjore konform nenit 233 të KPRK-së dhe shtoi se  një marrëveshje e tillë është bërë më dëshirën dhe vullnetin e të pandehurit Ademi, pasi siç tha ai, i njëjti ka treguar një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me prokurorinë dhe është penduar thellë për rastin, andaj dhe i propozoi gjykatës që kjo  marrëveshje të aprovohet.

Sipas marrëveshjes, me rastin e shqiptimit të sanksionit penal, prokuroria pajtohet që t’i bëjë me dije gjykatës për bashkëpunimin e plotë të të pandehurit dhe të rekomandojë gjykatën t’i shqiptojë atij dënimin prej dy muajsh burgim, i cili dënim do të zëvendësohet me gjobë, në shumën prej 1,200 euro, si dhe konform nenit 83 paragrafit 1 të KPRK-së, koha e kaluar nën masën e arrestit shtëpiak  do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar si më lartë.

Poashtu, me marrëveshje, parashihet që të pandehurit Ademi t’i shqiptohet edhe dënimi plotësues dhe atë konfiskimi i dy shtëpizave kompjuterike dhe një printer për shtypjen e tiketave.

Gjykatësi i rastit, Nexhat Aliu aprovoi marrëveshjen lidhur me pranimin e fajësisë dhe e ka njoftuar të pandehurin se vendimi gjyqësor do t’i dërgohet me shkrim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, i pandehuri Gentrit Ademi ishte nën masën e arrestit shtëpiak që nga data 4 korrik 2019, e cila masë i është ndërprerë të mërkurën, pas propozimit të avokatit Ramadani dhe aprovimit nga gjykatësi Aliu.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 24 korrik 2019, ka ngritur aktakuzë kundër të akuzuarit Gentrit Ademi.

Sipas aktakuzës, më 2 korrik 2019, rreth orës 19:00, në rrugën “Hoxhë Januzi” në Viti, pas një kontrolle nga ana e zyrtarëve policor nga Policia e Kosovës-NJHRKEK-nëGjilan, është konstatuar se i pandehuri Ademi, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër dhe në kundërshtim me Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit 06/L-155, në  mënyrë të kundërligjshme ka organizuar lojëra të fatit “Keno”, “Racing Dogs” dhe “Lucky Balls”

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, sipas nenit 294  parag.2 i KPRK-së. /Betimipërdrejtësi