Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie, veçohet procedura ndaj bashkëshortes së Sami Lushtakut në gjykimin për arratisjen nga QKUK-ja

Sami Lushtaku
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Dhjetor 2, 2019

 


Prishtinë  – Pasi që ka arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë, është veçuar procedura ndaj të akuzuarës Mirvete Hasani Lushtaku, në gjykimin për arratisjen e ish-kryetarit të Komunës së Skenderajt nga Qendra Klinike dhe Universitare e Kosovës (QKUK).

Në këtë rast, përveç Sami dhe Mirvete Lushtakut po akuzohen edhe djali i tyre Mërgim Lushtaku, Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka, Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Sheremet Jashari, Bajram Dibrani, Dardan Geci, Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktakuzës, arratisja e ish-kryetarit të Skenderajt, nga QKUK-ja kishte ndodhur në maj të vitit 2014, derisa Lushtaku po merrte trajtim shëndetësor, në kohën kur ai ndodhej në paraburgim në rastin “Drenica”.

Në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja Florije Shamolli, ka thënë se marrëveshja për pranimin e fajësisë është arritur me të akuzuarën Mirvete Hasani Lushtaku dhe mbrojtësin e saj.

“Siç iu kam njoftuar në seancën e kaluar e akuzuara Mirvete Hasani, përmes avokatit të saj ka bërë një kërkesë për inicimin e procedurës për marrëveshjen për pranimin e fajësisë dhe konform dispozitave kemi arritur një marrëveshje, të cilën në afatin kohor e kam dorëzuar në gjykatë. Andaj i propozoj gjykatës që për Mirvete Hasanin të veçohet procedura penale dhe aty do t’i paraqes arsyet e lidhjes së kësaj marrëveshje”, ka thënë prokurorja Shamolli.

Duke u përgjigjur në pyetjen e kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Shashivar Hoti, e akuzuara Mirvete Hasani Lushtaku, ka thënë se këtë marrëveshje e kishin lidhur me pajtim të plotë, se është e vetëdijshme për pasojat e arritjes së kësaj marrëveshje, si dhe ishte njoftuar nga mbrojtësi i saj, lidhur me të drejtat e pranimit të fajësisë.

Mbrojtësi i të akuzuarës Hasani Lushtaku, avokati Visar Rrecaj, ka deklaruar se kjo marrëveshje është bërë pas konsultimit të mjaftueshëm me klienten e tij.

“Klientes sime i kam shpjeguar për beneficionet dhe pasojat që sjellë kjo marrëveshje, e kam njoftuar edhe me efektet e mundshme për të gjithë procesin gjyqësor dhe e njëjta është pajtuar që të hyjë në këtë marrëveshje dhe po ashtu me prokurorin jemi pajtuar edhe për përcaktimin e dënimit, i cili është i shënuar në marrëveshje dhe për të njëjtin dënim jemi pajtuar që të kthehet në gjobë. Kërkojmë nga gjykata që këtë marrëveshje ta aprovojë ashtu siç jemi marrë vesh me prokurorinë dhe ndaj klientes time të marrë aktgjykim të veçantë dhe të veçojë procedurën”, ka deklaruar avokati Rrecaj.

Pas kësaj, trupi gjykues e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, me arsyetimin se ajo është e bazuar, si dhe më pas edhe e ka veçuar procedurën ndaj të akuzuarës, Mirvete Hasani Lushtaku, ndaj së cilës do të shpallet aktgjykim i veçantë.

Ky aktgjykim do të shpallet më 4 dhjetor 2019, nga ora 09:00.

Prokuroja Shamolli, ka shtuar në fund se për shkak se e akuzuara në letërnjoftim e ka vetëm mbiemrin Hasani, e kanë lidhur marrëveshjen si në këtë dokument, pa potencuar mbiemrin Lushtaku.

Ndërkohë, gjatë kësaj seance, procedura është veçuar edhe ndaj të akuzuarit Sami Gjoka, për shkak të mungesës së tij në gjykatore.

Sipas mbrojtësit të tij, avokatit Hamdi Jashanica ka pasur një intervenim kirurgjik dhe nuk po i lajmërohet në telefon.

Pas konsultimit, trupi gjykues vendosi të veçohet procedura ndaj të akuzuarit Gjoka për këtë seancë, dhe mbrojtësi i tij, Hamdi Jashanica, do të qëndrojë në këtë seancë, ndërsa në seancën e radhës do të bashkohet prapë procedura ndaj tij.

Ndërkaq, gjykimi i së hënës po vazhdon ndaj të akuzuarve tjerë, ku pritet të dëgjohen disa dëshmitarë.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 prill të vitit 2018, kishte refuzuar kërkesat e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave, me arsyetimin se kishte vërtetuar se nuk ka parashkrim të veprës penale dhe se mbrojtja nuk ka paraqitur prova të mjaftueshme për t’i aprovuar ato.

Ndërsa, Gjykata e Apelit, në korrik 2018, kishte refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtjes për hudhje të aktakuzës dhe kundërshtim të provave dhe kishte lënë në fuqi aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Sipas kësaj gjykate, gjykata e shkallës së parë kishte vepruar drejt kur i kishte refuzuar këto kërkesa, pasi nuk ishin paraqitur asnjëra nga rrethanat e parapara në nenin 250 par.1 nënpar.1.1, 1.2, 1.3 dhe 1.4 të  Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Në seancën e mbajtur më 6 dhjetor 2017, Sami Lushtaku dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.

Para kësaj, disa herë me radhë kishin dështuar të mbaheshin seancat, me ç’rast prokurori i EULEX-it, Romule Mateus kishte deklaruar se kjo është fyerje për drejtësinë.

Ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, akuzohet për disa vepra penale “arratisje e personit të privuar nga liria”, “pengim të dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësim gjatë procedurës zyrtare” si dhe “për pjesëmarrje në grup të organizuar kriminal”.

Për arratisjen nga QKUK, akuzohen edhe Sahit Jashari e Ismet Haxha.

Për veprën penale të pjesëmarrjes në grup të organizuar kriminal akuzohen edhe Ismet Haxha, Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjakum Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani.

Mërgim Lushtaku, Dardan Geci dhe Mervete Hasani Lushtaku, akuzohen për lehtësim të arratisjes së personave të privuar nga liria.

Bashkim Dervisholli, Valon Behramaj, Argjent Behramaj, akuzohen për veprën penale të ofrimit të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprës penale si dhe lirim i jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria.

Rrustem Rrukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, akuzohen për veprën penale pengimi i dëshmisë apo procedurës zyrtare si dhe frikësimin gjatë procedurës penale në bashkëkryerje.

Emrush Thaqi, Shemsi Hajrizi, Sami Gjoka dhe Nexhip Shatri, Ismajl Dibrani, Agim Ukaj akuzohen për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Gjoka e Shatri, gjithashtu akuzohen edhe për falsifikim të dokumenteve dhe lehtësim i arratisjes për personat e privuar nga liria.

Ylber Blakaj, Gëzim Ahmetaj dhe Xhevdet Zena, akuzohen për lirim të jashtëligjshëm të personave të privuar nga liria. /BetimipërDrejtësi