Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie ndaj të akuzuarit për narkotikë

Arber Ahmeti foto
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Korrik 12, 2019

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të premten, e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë në rastin e të akuzuarit për veprën penale “blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”, Arbër Ahmeti.

Prokurori Ali Uka, deklaroi se marrëveshja e lidhur në mes të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, të akuzuarit Ahmeti dhe mbrojtëses së tij, avokates Feride Xani është bërë me vullnetin e plotë të të akuzuarit.

Mbrojtësja e të akuzuarit, avokatja Xani deklaroi se marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, i akuzuari e ka nënshkruar me vullnetin e tij të plotë, duke i ditur më parë pasojat dhe benefitet e kësaj marrëveshjeje.

I akuzuari Ahmeti, deklaroi se i vjen keq për veprën që e ka kryer, duke shtuar se në të ardhmen nuk do të përsëris më veprime të tilla.

Prokurori Uka, sa i përket dënimit të paraparë me marrëveshje deklaroi se është mbështetur në minimumin dhe maksimumin e paraparë për veprën penale të caktuar.

“Kemi propozuar që ndaj të pandehurit për veprën penale t’i shqiptohet një dënim në suaza të minimumit dhe maksimumit dhe atë dënimin me burgim prej një viti, deri në një vjet e tetë muaj dhe dënimin me gjobë prej 500 deri 800 euro”, deklaroi prokurori Uka.

Më pas, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Nikollë Komani shpalljen e aktgjykimin e ka caktuar që të bëhet më 15 korrik 2019, në ora 8:45.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Arbër Ahmeti po akuzohet se paautorizim ka poseduar me qëllim të shitjes substancë narkotike, në atë mënyrë që në ditën kritike, më 7 nëntor 2018, rreth orës 7:00, pas një kontrolli dhe bastisje të kryer nga ana e Policisë në shtëpinë dhe lokalet përcjellëse të të akuzuarit në fshatin Kralan të Gjakovës, në bazë të një urdhri të lëshuar nga Gjykata është gjetur dhe konfiskuar narkotikë, dhe atë njëmbëdhjetë qese të vogla të mbushura me substancë në formë pluhuri të ngjyrës së bardhë, me peshë 4.46 gramë, e llojit kokainë, si dhe një paketim i mbushur me substancë narkotike në formë bari, të llojit mariuhanë, me peshë 418.04 gramë, e që nga raporti i AKF ka rezultuar të jenë të llojit mariuhanë dhe kokainë.

Për këtë, sipas aktakuzës po akuzohet se ka kryer veprën penale “blerje, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” nga neni 273 parag.1 të KPRK-së. /Betimipërdrejtësi