Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie ndaj të akuzuarit për armëmbajtje pa leje

IMG_0692
Author

Raporton: Edmond MARLEKU

Prill 15, 2019

Klinë – Në seancën fillestare të mbajtur të hënën, në Gjykatën Themelore në Pejë, dega në Klinë, i akuzuari Endrit Imeri, e ka pranuar fajësinë për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në këtë seancë fillestare, që nuk është lexuar aktakuza, prokurori i rastit Astrit Gashi, ka deklaruar se i akuzuari Imeri, kishte lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë në Prokurorinë Themelore në Pejë, duke shtuar se qëndron pranë kësaj marrëveshje.

Edhe i akuzuari Imeri, ka thënë se qëndron pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë.

Gjykatësi i rastit Jashar Gashi, me aktvendim e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila ishte lidhur më 1 shkurt 2019, në mes të akuzuarit Endrit Imeri dhe Prokurorisë Themelore në Pejë.

Gjykatësi Gashi, ka thënë se aktgjykimi do të shpallet më 16 prill 2019, në orën 15:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 4 shkurt 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Endrit Imeri, akuzohet se më 15 janar 2019, rreth orës 23:00, në rrugën Sadik Rama, në Klinë, në lokalin “Pentagon”, pa autorizim ka poseduar një pistoletë “Zastava”, me gjashtë fishekë, si dhe një karikator.

Në aktakuzë thuhet se në ditën kritike pasi që organet policore kanë pranuar një informatë, se një person në lokalin “Pentagon”, posedon armë, shkojnë në vendin e lartcekur, ku dhe pas një kontrolle të akuzuarit i gjejnë armën, me ç’rast të njëjtën e konfiskojnë.

Prokuroria Themelore në Pejë të akuzuarin Endrit Imeri, e ngarkon me vepër penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374 paragrafi 1, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. /Betimipërdrejtësi