Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie, dënohet me gjobë i akuzuari për vetëgjyqësi

66821544_349881582353994_7605365471705038848_n
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Korrik 10, 2019

Kamenicë – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, të mërkurën, e ka dënuar me 200 euro gjobë të akuzuarin për vetëgjyqësi, Shukri Vokshi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi Sadri Krasniqi, i akuzuari po ashtu është obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajë shumën prej 20 euro, si dhe për kompensimin e viktimave shumën prej 30 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ky aktgjykim është shpallur, pasi ai paraprakisht me mbrojtësin e tij, avokatin Selmon Sadiku  më 20 qershor të këtij viti, kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë Themelore në Gjilan për pranimin e fajësisë, të cilën marrëveshje të mërkurën e ka aprovuar gjykatësi Krasniqi.

Prokuroria Themelore në Gjilan, më 30 janar 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj tashmë të akuzuarit Shukri Vokshi, me arsyetimin se ai më 17 janar 2019, në kohë të papërcaktuar në Kikë të Kamenicës, në rrugën në afërsi të turbinës 1 të Sh.P.K “Air Energy”, ka ushtruar në mënyrë arbitrare të drejtën që ka menduar se i takon, dhe në vend se t’i drejtohet organit kompetent, i vendos shiritat në rrugë, me pretendimin se është e tij, me qëllim që t’ia vështirësojë punën normale kompanisë në fjalë, dhe t’i bëjë trysni asaj për ta kthyer në punë, për shkak se kjo kompani paraprakisht të akuzuarin e kishte larguar nga puna.

Me këtë, Shukri Vokshi akuzohej se ka kryer veprën penale “vetëgjyqësia”, nga neni 418 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK). /BetimipërDrejtësi