Aprovohet marrëveshja për pranim fajësie, dënohen me gjobë të akuzuarit për bixhoz të paligjshëm

Genta
Author

Raporton: Genta PAJAZITI

Gusht 28, 2019

Viti – Gjykata Themelore në Gjilan, dega në Viti, i ka dënuar me nga 60 ditë burgim të akuzuarit për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm, Besim Idrizi, Kushtrim Qosa, dhe Çlirim Haxhiu.

Por, ky dënim me pëlqimin e të akuzuarve, është shndërruar me gjobë në lartësi prej 900 euro, për secilin veç e veç.

Ndërsa, ndaj dy të akuzuarve tjerë, Gëzim Aliu dhe Adem Tahiri, gjykata ka shqiptuar dënim me burg në kohëzgjatje prej 90 ditësh.

Dënim ky i cili me pëlqimin e të akuzuarve, është shndërruar me gjobë në lartësi prej 1,500 euro, për secilin prej tyre, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kjo pasi që gjykatësja Drane Simani, paraprakisht aprovoi marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur midis Prokurorisë, dhe të akuzuarve, më 19 gusht 2019.

Gjatë seancës të së mërkurës, prokurorja Kujtesa Fazliu, deklaroi se pas kërkesës nga ana e të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre kishte negociuar për pranimin e fajësisë, ashtu që gjatë negocimit ishte arritur marrëveshja, për të cilën ka thënë se është në përputhje me shkresat e lëndës.

Aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, e ka kërkuar edhe mbrojtësi i të akuzuarit Idrizi, avokati sipas autorizimit, Ajvaz Islami, mbrojtësi i të akuzuarit Qosa, i caktuar sipas detyrës zyrtare, Hajredin Leka, mbrojtësi i të akuzuarit Aliu, sipas autorizimit Afrim Salihu, mbrojtësi i të akuzuarit Haxhiu, sipas autorizimit, avokatja Elvira Haziri dhe mbrojtësi i caktuar sipas detyrës zyrtare i të akuzuarit Tahiri, avokati Xhavit Haziri.

Ata kanë deklaruar se marrëveshja është arritur me vullnetin e plotë të klientëve të tyre, duke i propozuar gjykatës që ndaj tyre të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

Ndërsa, të akuzuarit Tahiri, Haxhiu, Idrizi, Aliu dhe  Qosa, kanë deklaruar se e mbështesin fjalën e mbrojtësve të tyre.

Pasi që gjykatësja Simani, ka marr aktvendim ku e ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë, ajo gjithashtu ka marr vendim që ndaj të akuzuarve të ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan, më 26 gusht 2019, ka ngritur aktakuzë ndaj Adem Tahirit, Çlirim Haxhiut, Besim Idrizit, Gëzim Aliut, dhe  Kushtrim Qoses të cilët akuzohen se kanë kryer veprën penale Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”, nga neni 294 pargrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas aktakuzës, të ndarë në pesë dispozitivë për secilin të akuzuar, ata akuzohet se më 6 gusht 2019, rreth orës 13:20, në lokalin “Internet Café”, i cili gjendet në rrugën “Dëshmorët e Vitisë”, në Viti, pas një kontrolle nga ana e zyrtarëve policorë është konstatuar që me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete apo për personin tjetër dhe në kundërshtim me ligjin për ndalimin e lojërave të fati 06/L-155, në mënyrë të kundërligjshme ka ndihmuar në organizimin e lojërave të fatit të cilat janë të ndaluara me ligj. /BetimipërDrejtësi