Aprovohet kërkesa e mbrojtjes së ish-inspektorit që të ftohet eksperti për të dhënë sqarime shtesë rreth ekspertizës

Raporton: Hajrije Krasniqi

Prizren- Në Gjykatën Themelore në Prizren, të premten, mbrojtësit e ish-inspektorit të akuzuar për korrupsion, Nexhmedin Musliu, avokatët Gent dhe Blend Gjini kanë kërkuar nga gjykata që eksperti i ndërtimtarisë Liman Mustafa, që të ftohet për të dhënë sqarime rreth ekspertizës. Kjo kërkesë është aprovuar nga gjykata pavarësisht kundërshtimeve të Prokurorisë dhe përfaqësuesit të Komunës së Prizrenit.

Në seancën e kaluar është aprovuar propozimi i prokurores së rastit Ervehe Gashi për caktimin e ekspertizës së ndërtimtarisë për të llogaritur dëmin e shkaktuar që i është bërë Komunës Së Prizrenit.

Ndërsa në seancën e së premtes, fillimisht kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha konstatoi se është siguruar ekspertiza e ndërtimtarisë dhe e njëjta është lexuar si provë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të ekspertizës prokurorja Ervehe Gashi, dhe përfaqësuesi  i Komunës së Prizrenit, Behar Bytyqi, kanë deklaruar se nuk ka nevojë që të dëgjohet eksperti i ndërtimtarisë, pasi që sipas tyre ekspertiza e ndërtimtarisë është e qartë.

Ndërsa, mbrojtësit e të akuzuarit Nexhmedin Musliu, avokatët Blend dhe Gent Gjini, propozuan që të dëgjohet eksperti i ndërtimtarisë Liman Mustafa, për të dhënë sqarime rreth ekspertizës, propozim i cili më pas u aprovua nga kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha.

Përveç  këtij propozimi në seancën e së premtes nga kryetarja e trupit gjykues Teuta Krusha u konstatua që në shkresat e lëndës mungojnë dy aktvendime, ai për ekzekutimin e rrënimit vullnetar të objektit nga ana e investitorit dhe aktvendimi për ndërprerjen e punimeve.

Pas këtij konstatimi përfaqësuesi i palës së dëmtuar bashkëpunëtori Behar Bytyqi, e njofton gjykatën se të njëjtat do të sigurohen si prova dhe do të prezantohen në procedurën e plotësimit të provave.

Në këto rrethana, seanca e radhës  u caktua më 11 korrik dhe 10 gusht 2022.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren, të përpiluar më 14 janar 2020, Nexhmedin Musliu po akuzohet se prej nëntorit 2014 e deri në maj 2016, si inspektor i ndërtimit nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të përcaktuara me ligj.

Sipas aktit akuzues, Musliu ka qenë përgjegjës për inspektimin e ndërtimeve në rrugën “Muhaxherët” – zona e “Qylhanit”, në Prizren, por i njëjti nuk ka ndërmarrë veprime për rrënimin e ndërtimit pa leje të bërë në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, Planin Zhvillimor Urban të komunës dhe lejeve të ndërtimit të Drejtorisë së Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se investitorëve Ruzhdi Fandaj dhe Tahir Haziraj u kanë mundësuar që në mënyrë të pakontrolluar të vazhdojnë ndërtimet e katit të tretë dhe të katërt të shtëpisë individuale, duke bërë konstatimin formal të gjendjes faktike në procesverbale.

I pandehuri Musliu, sipas aktakuzës, asnjëherë nuk e ka zbatuar masën e rrënimit edhe pse ka qenë i obliguar për një gjë të tillë, duke i sjellë përfitim investitorëve, ku ka dëmtuar infrastrukturën e qytetit në zonën e ndërtimit në “Qylhan”, të Prizrenit.

Ndryshe, Nexhmedin Musliu është i akuzuar edhe në disa raste të tjera, që lidhen me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë