Aprovohet kërkesa e gjashtë fëmijëve të paditësit të ndjerë për vazhdimin e procedurës për vërtetimin e pronësisë

img
Author

Raporton: Arlinda MUQA

Qershor 10, 2021

Pejë – Gjashtë fëmijët e të ndjerit Mustafë Tetaj – Xhavit, Fidajete, Kushtrim, Florim, Mervete, Shpetim Tetaj – do të vazhdojnë kontestin civil për të vërtetuar pronësinë e një toke në fshatin Zllopek të Pejës.

Në seancën e mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Pejë është precizuar padia dhe është vendosur vazhdimi i procedurës së ndërprerë pas vdekjes së Mustafë Tetajt. Në këtë padi janë përfshirë edhe motrat dhe vëllezërit e paditësit.

Mustafë Tetaj në padinë e vitit 20017 kishte kërkuar vërtetimin e të drejtës së pronësisë nga të paditurit Dragica Jokqik, Mira Jokqik, Zorka Jokqik, Qedomir Jokqik dhe Xhakoviq Nata, në vlerë prej 5.000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në padi thuhej se në vitin 1985 trashëgimtarët ligjorë të të paditurve ia kanë shitur paditësit tërë patundshmërinë parcelen kadastrale 386 ZK Zllopek e cila evidentohej në emër të paditurës Nata Xhakoviq dhe në atë për një çmim prej 23 milionë dinarë të atëhershëm.

Në gjykim i autorizuari i paditësit, avokati Flamur Kelmendi, ka thënë se kur prona është blerë më 1985 pronar ishte Mustafë Tetaj që ishte në bashkësi familjare me motrat dhe vëllezërit e tij. Prandaj, ai ka propozuar që në këtë procedurë kontestimore të përfshihen edhe motrat dhe vëllezërit e të ndjerit për të mos u zgjatur procedura e kontestit civil.

Një propozim të tillë nuk e kundërshtoi as përfaqësuesi i përkohshëm i të paditurve avokati Esat Muharremi, ku me qëllim të ekonomizimit të procedurës të përfshihen edhe vëllezërit e tani të ndjerit Mustafë.

“Meqenëse në mes të trashëgimtarëve të të ndjerit Mustafë dhe vëllezërve të tij nuk ekziston ndonjë kontest sa i përket pjesëve të patundshmërisë që ata t’i mbajnë dhe me qëllim të ekonimizimit të procedurës nuk e kundërshtoj propozimin e  te autorizuarit te paditësve që si palë në këtë procedurë të përfshihen vëllezërit e tani të ndjerit Mustafe Tetaj”, tha avokati Muharremi.

Gjyqtari i çështjes Ilir Berisha e urdhëroi të autorizuarin e paditësve që  në afat prej 7 ditësh gjykatës t’ia dorëzojë parashtresën për rregullimin e padisë në aspektin subjektiv ashtu që përveç trashëgimtarëve të të ndjerit Mustafë Tetaj si paditës të paraqiten edhe vëllezërit dhe motrat e tij të cilët mbajnë pjesë të kësaj patundshmërie pas ndarjes së bashkësisë së tyre familjare.

Sipas padisë fillestare 25 prill 2017 dhe precizimit të bërë më 26 prill 2021, Mustafë Tetaj nga ngritur padi ndaj të paditurve  Dragica Jokqik, Mira Jokqik, Zorka Jokqik, Qedomir Jokqik dhe Xhakoviq Nata, që t’i vërtetohet e drejta e pronësisë së patundshmërisë e cila gjendet në fshatin Zllopek, Komuna  e Pejës. Patundshmëria në vitet 1985 ka qenë e evidentuar në listat poseduese nr. 56, 80 dhe 48 të gjitha këto në ZK Zllopek.

Në precizimin e padisë tani si paditës njihen pasardhësit e paditësit si Xhavit Tetaj, Fidajete Mujaj, Kushtrim Tetaj, Mervete Tetaj dhe Shpetim Tetaj, ku si interes juridik kanë vazhdimin e procedurës kontestimore kundër të paditurve Dragica Jokiq, Zorka Jokiq, Qedomir dhe Xhakoviq Nata, për vërtetimin e pronësisë./BetimipërDrejtësi.