Aprovohet dëgjimi i paditësit dhe i të paditurit në cilësi të dëshmitarëve po ashtu edhe dëgjimi i dëshmitarit në seancën e radhës
Raporton: Ronesa DRAGUSHA
Prishtinë – Në seancën e së martës gjykata ka aprovuar dëgjimin e paditësit A.M. në cilësi të dëshmitarit si dhe të paditurit të parë R.M, po ashtu edhe dëgjimin e dëshmitarit N.M njëkohësisht familjar i afërt i paditësit në rastin ku paditësi po kërkon anulimin e kontratës mbi shitblerjen e paluajtëshmërisë kontestuese.
Në këtë seancë ishte prezent paditësi A.M dhe përfaqësuesi i tij avokati Selim Nikqi, si dhe i padituri i parë R.M. dhe përfaqësuesja e tij avokatja teuta Zhinopotoku si dhe përfaqësuesi i të paditurit të dytë D.J, avokati Naser Peci, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Avokati Nikqi ka deklaruar se pronën kontestuese e ka blerë paraardhësi i paditësit M.M në vitin 1969 dhe të njëjtën e ka shfrytëzuar derisa ishte gjallë dhe pas tij e ka shfrytëzuar paditësi deri në vitin 2012.
I njëjti ka thënë se nuk ka vërejtje në ekspertizën e gjeodezisë .
Në anën tjetër avokatja Zhinipotoku ka thënë se e kundërshton padinë dhe kërkesëpadinë e paditësit si të pabazuar dhe e njejta ka propozuar dëgjimin e paditësit të parë dhe po ashtu edhe dëgjimin e dëshmitarit N.B.
E njëjta ka thënë edhe se ka pyetje për ekspertin e gjeodezisë lidhur me hartimin e ekspertizës andaj ka konsideruar se i njëjti duhet të jetë prezent në seancën e radhës.
Ndërsa avokati Peci ka thënë se nuk e kundërshton dëgjimin e dëshmitarit N.M. e as të paditurit në cilësi të palës, mirëpo ka thënë se dëgjimi i tyre përbën prova rrethanore duke marrë për bazë faktin se marrëveshja për shitblerje është lidhur në vitin 1969 dhe për këtë kohë të njëjtit nuk kanë.
Mirëpo Nikqi e ka kundërshtuar propozimin për dëgjimin e N.M. në cilësi të dëshmitarit.
Gjykatësi Adnan Konushevci i ka aprovuar propozimet e përfaqësuesve të palëve ndërgjyqëse për dëgjimin e paditësit dhe të paditurit të parë në cilësi të palës si dhe dëgjimin e dëshmitarit N.M.
Po ashtu gjykatësi Koshuevci e ka aprovuar edhe propozimin për dëgjimin e ekspertit të gjeodezisë Shaip Mehmeti.
Seanca e sotme ka përfunduar ndërsa e radhës është caktuar më 9 gusht.
Ndryshe, sipas padisë së 26 dhjetor 2012 paditësi A.M., ka paditur A.M. dhe D.J. i biri i të ndjerit M.J dhe nga të njëjtët po kërkon anulimin e kontratës mbi shitë – blerjen e paluajtëshmërisë dhe përmes kësaj padie ka propozuar edhe caktimin e masës së sigurisë.
Sipas padisë, paditësi M. është pronar faktik i paluajtëshmërisë në sipërfaqe prej 6.30 ari, pasi që në bazë të kontratës gojore e ka blerë paluajtëshmërinë në vitin 1969 me vlerë 1,500.00 dinarë nga pronari M.J dhe menjëherë pas blerjes së pronës i njëjti e ka marrë në posëdim dhe shfrytëzim për më shumë se 40 vite.
Mirëpo sipas padisë, i padituri i parë A.M. i cili ka deklaruar se ka blerë pjesën tjetër të pronës të paditësit më 14 maj 2007 ka ushtruar padi në Gjykatën Komunale në Prishtinë dhe ka kërkuar rregullimin e kufirit të ngastrës dhe pronës së M.M për të cilat ngastra edhe vetë ai ka dëshmuar se janë pronë e M.M.
Në padi thuhet se paditësi kërkon nga gjykata që ta detyroj paditësin ta identifikoj kontratën eventuale të shitblerjes për pronën që është objekt i kësaj padie dhe nëse ekziston një kontratë e tillë paditësi kërkon që e njëjta të anulohet pasi që prona kontestuese nuk mund të shitet dy herë pasi që ajo veçse është shitur më herët.
Mbi këtë bazë i paditësi po kërkon që të vërtetohet se paluejtëshmëria kontestuese është pronë e A.M e blerë më 1969 nga D.J dhe të anulohet kontrata mbi blerjen e paluajtëshmërisë së lidhur mes J. dhe A.M. dhe të detyrohen të njëjtët që ta kthejnë në pronësi dhe posedim dhe po ashtu i kanë kërkuar të gjitha shpenzimet procedurale.
Gjithashtu përmes kësaj padie paditësi ka propozuar caktimin e masës së përkohshme të sigurisë ashtu që t’i ndalohet A.M. paluajtëshmërinë kontestuese ta shes, tjetërsoj apo ta shfrytëzoj si tokë bujqësore, apo të filloj ndërtimin e ndonjë objekti tjetër apo degradimi i ngastrës.
Në anën tjetër, me aktvendimin e 17 dhjetorit 2013 Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar propozimin për caktimin e masës së përkohshme të sigurisë.
Ndërsa i autorizuari i të paditurit të parë në afat ligjor ka ushtruar ankesë dhe ka kërkuar që lënda të kthehet në rivendosje apo të ndryshohet duke e anuluar si të pabazuar.
Mirëpo, Gjykata e Apelit në Kosovë e ka vlerësuar ankesën e paditësit të parë si të pabazuar. Duke e vlerësuar vendimin e shkallës së parë si të drejtë dhe të bazuar në ligj./BetimipërDrejtësi