Aprovohen propozimet e mbrojtjes për plotësim të provave materiale në gjykimin ndaj “Burdushit”

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë janë aprovuar të gjitha provat materiale të propozuara nga mbrojtja të cilat janë pjesë përbërëse e parashtresave që mbajnë datën 20 dhe 24 maj, rastin ku ku Hysri Peqani, i njohur si “Burdushi”, po akuzohet për ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shpëlarje parash dhe armëmbajtje pa leje.

Po ashtu në seancën e së mërkurës u aprovua propozimi i mbrojtësit të akuzuarit Peqani, avokatit Durim Osmani që në cilësi e provës gjykata sipas detyrës zyrtare  të marrë dy vendimet të Inspektoriatit Shëndetësor, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në këtë seancë, prokurorja speciale Merita Bina-Rugova është deklaruar rreth provave materiale të propozuara nga mbrojtja, prej të cilave për disa ka thënë se nuk janë relevante në këtë shqyrtim, kurse për disa ka thënë se të njëjtat vetëm sa vërtetojnë që i akuzuari Hysri Peqani ka kryer kryerjen e veprës penale shpëlarje të parave.

Për deklarimet e bëra gjatë seancës së sotme e njëjta tha se gjykatës do ia dorëzoj me shkrim.

Ndryshe, në fillim të seancës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Lutfi Shala  ka njoftuar që gjykata ka pranuar një parashtresë më datë 23 maj nga mbrojtësit e të akuzuarit Hysri Peqani, avokatët Durim Osmani dhe  Feijm Alaj, si dhe më datë 25 maj 2022  një parashtresë plotësuese.

Në këtë parashtresë avokatët i kanë paraqitur kundërshtimet lidhur me provat e propozuara dhe administruara gjatë seancës së kaluar  nga ana e prokurores speciale Bina-Rugova, si dhe  plotësimin e provave materiale.

Mbrojtësi i të akuzuarit Peqani, avokati Osmani ka njoftuar gjykatën se në një seancë gjatë muajit  janar të këtij viti, e ka dorëzuar edhe një parashtresë në kopje të mjaftueshme në gjykatë, mirëpo ato prova në këtë parashtresë të dërguar tani vetëm i ka përshkruar dhe analizuar pa i dorëzuar përsëri.

Për këtë prokurorja Bina- Rugova deklaroi se edhe pse nuk i ka ato prova nuk është pengesë që të vazhdohet seanca.

Ndërsa, avokati Durim Osmani lidhur provat e propozuara dhe administruar në seancën e kaluar nga ana prokurores special Merita Bina-Rugova  deklaron se  janë përshkruar me parashtresë dhe mbesin pranë kundërshtimeve duke e bërë një elaborim të shkurt.

Ai tha se ka kundërshtime sa i përket procesverbalit inspektimit të vitit 2018 dhe respektivisht të datës 2019 ndaj Inspektoratit Shëndetësor, ngase sipas tij, ato procesverbale nuk mund të vërtetojnë tezën  e akuzës sa i përket veprës parë penale për ushtrim të veprimtarisë mjekësore kundërligjshme.

“Duke arsyetuar se këto prova procesverbali nuk mund të jetë provë kryesore por është vendimi që pason, pra pas procesverbalit nxirret një vendim administrative dhe i dorëzohet palëve, këtë rast palës tretë Hysri Peqanit dhe ajo është provë që e vërteton këtë fakt dhe jo procesverbali”, ka theksuar Osmani.

Ndërsa, sipas tij, provat që organ i akuzës ka deklaruar se nuk janë relevante nuk duhet të administrohen si prova.

Në fund, gjykatësi Shala ka thënë se gjykata në seancën e ardhshme do të siguroj edhe dosjen të cilën mbrojtësi i të akuzuarit Peqani, avokati Osmani i ka dorëzuar në janar, por nuk është marrë vendim lidhur me administrimin e atyre provave dhe një kopje e të njëjtës do i dërgohet edhe prokurorisë special.

Për shkak se nuk kishte propozim tjera, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi  Shala mori aktvendim seanca e sotme u ndërpre ndërsa seanca e radhës u caktua më 13 korrik 2022.

Po ashtu në seancën e radhës do të vendoset edhe në lidhje me provat materiale  të cilat mbrojtja i ka dorëzuar në janar të këtij viti.

Në fund, gjykatësi Shala ka shtuar se arsye e shtyrjes për këtë datë është pasi që gjykatësi Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi operojnë si të vetëm në një trup gjykues pa anëtarë të tretë të përhershëm, dhe se vazhdimisht po paraqet problem për mbarëvajtjen e gjykimeve në një afat më të shkurtër kohor.

Sipas aktakuzës, prej kohës së pavërtetuar, së paku nga koha e regjistrimit të biznesit privat ordinanca “Burdushi”, me aktivitetin primar “aktivitetet e tjera të shëndetit të njeriut, më 15 qershor 2005 deri më 26 korrik 2019, në Prizren, në selinë e këtij biznesi, pa kualifikime profesionale mjekësore dhe pa licencë përkatëse , me qëllim të përfitimit të pasurisë në mënyrë të kundërligjshme dhe me anë të paraqitjes së rreme të fakteve se kinse posedon aftësi mbinatyrore ka dhe ashtu i mjekon edhe sëmundjet më të rënda fizike dhe psikike.

Në aktakuzë thuhet se i njëjti, të dëmtuarve ju ka kryer trajtime të improvizuara duke i vënë në lajthim dhe duke i nxitur që për këtë t’i paguajnë shuma të ndryshme të parave nga 20 euro deri në më shumë se 3 mijë euro, ashtu që kjo vepër penale e vazhduar ka rezultuar me dobi pasurore të kundërligjshme prej rreth 1 milion euro.

Për këto, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike” nga neni 262, paragrafi 1 i KPRK-së lidhur me veprën penale mashtrimi në vazhdimësi nga neni 335, paragrafi 5 të Kodit Penal.

Prokuroria Speciale e ngarkon të akuzuarin Peqani edhe me veprën penale të armëmbajtjes pa leje, pasi që sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të policisë në shtëpinë e tij në Prizren, janë gjetur armë, pistoletë e tipit “Girsan” si dhe pushkë gjuetie e tipit “Super Campion”.

Prokuroria pretendon se “Burdushi”, me qëllim të fshehjes së pasurisë së fituar përmes aktiviteteve kriminale, duke filluar nga viti 2006, paratë e tilla i ka futur në sistem bankar me arsyetimin se kështu i paguan këstet e kredive e më pas e ka kryer fshehjen e tyre përmes transfereve bankare, ashtu që në fund i ka integruar duke i konvertuar në asete të luajtshme dhe të paluajtshme.

Për këto veprime ai akuzohet për veprën penale të shpëlarjes së parave nga neni 302 të KPRK-së lidhur me nenin 32 paragrafi 1 dhe 2 nën paragrafi 2.1 të Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit./BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë