Apelit shqyrton ankesën në rastin e kanosjes së prokurores Lumturije Hoxha

Raporton: Ramiz DURMISHI

Prishtinë – Në Gjykatën e Apelit, të hënën është shqyrtuar ankesa e mbrojtësit të të dënuarit A.M, avokatit Gazmend Halilaj, në rastin e akuzës se në nëntor të 2019-ës, ka telefonuar numrin zyrtar policor në Pejë dhe nëpërmjet tij ka kanosur prokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Hoxha, duke i shkaktuar asaj ankth dhe pasiguri për jetën.

Me aktgjykimin e përpiluar më 19 janar 2022, Gjykata Themelore në Gjilan e kishte gjetur fajtor dhe e kishte dënuar A.M me 6 muaj burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së hënës mungoi pala e dëmtuar prokurorja Lumturije Hoxha, si dhe i dënuari M., i cili përfaqësohej nga avokatët Gazmend Halilaj dhe Egzon Lajqi.

Avokati Halilaj, deklaroi se qëndron pranë ankesës duke shtuar se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i tij e kishte kryer veprën për të cilën ishte gjetur fajtor dhe ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë.

Tutje, ai i kërkoi gjykatës që aktgjykimin e Themelores ta prishë dhe të mbrojturin e tij ta lirojë ose ta kthejë çështjen në rigjykim.

Gjithashtu, edhe avokati Lajqi në deklarimin e tij theksoi se e mbështetë propozimin e kolegut të tij, avokatit Halilaj.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Gjilan më 19 janar 2022, të akuzuarin M. e kishte gjetur fajtor për veprën penale kanosje dhe të njëjtin e kishte dënuar me 180 ditë burgim.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 24 shkurt 2020, ka ngritur aktakuzë ndaj A.M., me arsyetimin se ai në nëntor të 2019-ës, në Pejë, me qëllim të frikësimit dhe shkaktimit të ankthit, e kanos seriozisht me fjalë të dëmtuarën, përkatësisht prokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Hoxha.

Sipas prokurorisë, në ditën kritike, i akuzuari ka telefonuar numrin zyrtar policor në Pejë, në lidhje me një rast të dhunës në familje që e kishte motra e të tij me bashkëshortin e saj, që në këtë rast prokurore e rastit ishte e dëmtuara, kurse i akuzuari i revoltuar sipas tij me dënimin jomeritor përkitazi me rastin, i drejtohet zyrtarit policor M.M., dhe nëpërmes tij e kanos prokuroren me fjalët “o nuk jam në Kosovë se të isha kanë në Kosovë unë asaj (prokurores) nënën ja …, me plumba e kisha shpu”.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pasi e dëmtuara njoftohet nga zyrtrët policorë në lidhje me rastin, tek ajo shkaktohet ankth dhe pasiguri për jetën.

Me këtë, A.M., akuzohej se ka kryer veprën penale “Kanosja”, nga neni 181, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme prej gjashtë muaj deri në pesë vjet burgim. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë