Apeli vërteton pafajësinë për përvetësim në detyrë ndaj ish-punëtorëve të kompanisë “Buçaj”

Gjykata_Apelit-620x275
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Nëntor 18, 2019

 


Prishtinë – Gjykata e Apelit i ka liruar përfundimisht nga akuzat për përvetësim në detyrë, ish-punëtorët e kompanisë “Buçaj”, Ekrem Zagragjaj, Faton Llazani, Idriz Shala dhe Liridon Vitija.

Kësisoj, shkalla e dytë e ka refuzuar ankesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila kishte kërkuar ndryshimin e aktgjykimit të Themelores dhe dënimin e të akuzuarve apo kthimin e rastit në rigjykim.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 27 maj 2019, i kishte liruar nga akuzat për përvetësim në detyrë, katër ish-punëtorët e kompanisë “Buçaj”, Ekrem Zagragjaj, Faton Llazani, Idriz Shala dhe Liridon Vitija.

Ata akuzoheshin se kishin përvetësuar në total 253.14 euro, gjatë shitjes së mallit të kësaj kompanie, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, pala e dëmtuar, kompania “Buçaj”, përmes një parashtrese të dorëzuar gjykatës më 14 maj 2019, kishte hequr dorë nga kërkesa pasurore juridike ndaj të akuzuarve.

E pakënaqur me aktgjykimin lirues të Gjykatës Themelore në Prishtinë, organi i akuzës ishte ankuar në Apel, për shkak të pretendimeve se aktgjykimi i ankimuar i shkallës së parë nuk përmban arsyet mbi faktet vendimtare, me të cilat gjykata e ka mbështetur aktgjykimin e saj.

Sipas prokurorisë, shkalla e parë u ishte falur besimin të akuzuarve të cilët kishin mohuar kryerjen e veprës penale, ndërsa nuk i kishte vlerësuar në mënyrë të drejtë provat e administruara si dëshminë e përfaqësuesit të kompanisë “Bucaj”, si dhe faturat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, e të cilat prova, sipas prokurorisë, e vërtetojnë se të akuzuarit i kanë kryer veprat penale për të cilën janë akuzuar.

Mirëpo, këto pretendimet të prokurorisë i ka hudhur poshtë kolegji i Apelit, në përbërje nga gjykatësit Xhevdet Abazi, Abdullah Ahmeti dhe Kreshnik Radoniqi.

“Sipas Gjykatës se Apelit të Kosovës aktgjykimi i atakuar i gjykatës së shkallës së parë nuk përmban as shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale të cilat kjo gjykatë i konstaton sipas detyrës zyrtare. Aktgjykimi i atakuar i gjykatës së shkalles së parë, pra dispozitivi i te njëjtit është i kuptueshëm, ai nuk përmban kundërthënie as mes vete por as me arsyet e tij, përmban arsye te duhura mbi faktet vendimtare të kësaj çështje penale dhe arsyet qe i ka dhënë gjykata e shkalles se pare në tërësi i pranon edhe kjo gjykatë”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Sa i përket pretendimeve të prokurorisë për vërtetimin e gjendjes faktike, Apeli ka vlerësuar se prokuroria nuk ka arritur të sigurojë interpretim profesional të faturave, të cilat gjenden në shkresat e lëndës, e të cilat janë të lëshuara nga kompania “Bucaj” dhe të sigurojë ekspertim të pavarur financiar të atyre faturave, e të cilat do të vërtetonin saktësisht vlerën e dëmit të shkaktuar apo faktin se a është shkaktuar fare dëm material dhe se të akuzuarit vërtetë kishin bërë përvetësime të qëllimshme në dëm të kompanisë apo jo.

“Gjykata e shkallës së parë kur i ka liruar të akuzuarit në mungesë të provave ka pasur parasysh edhe faktin se për shkak të shumave të vogla të hollave për të cilat kanë qenë të akuzuar nuk do të kishin rrezikuar që ta humbnin vendin e punës”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Të përfshirë në këtë çështje penale kishin qenë edhe Faton Duraku dhe Muharrem Gashi, mirëpo, ky i fundit gjendet në arrati, kurse për Durakun kishte pushuar procedura penale, pasi që ai kishte ndërruar jetë.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë më 1 tetor 2015, ndaj Faton Durakut, Ekrem Zabragjaj, Faton Llazanit, Idriz Shalës, Liridon Vitisë dhe Muharrem Gashit, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “përvetësimi në detyrë”.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Duraku sa ishte duke punuar në kompaninë private “Buçaj”, deri më 13 prill 2014, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm nga shitja e mallit kishte përvetësuar shumë prej 1938.59 euro, e që ishte konstatuar në bazë të një fature të datës 14 shkurt 2014, e me të cilën ai thuhet se i kishte shkaktuar dëm kësaj kompanie.

I pandehuri Zagragjaj, sipas aktakuzës, pretendohet se duke punuar në kompaninë “Buçaj”, me qëllim të përftimit kishte përvetësuar shumën e të hollave 115.40 euro, duke i shkaktuar dëm kësaj kompanie.

Faton Llazani, akuzohet se sa ishte duke punuar në kompaninë “Buçaj”, kishte bërë shitje të mallit tek blerësi “Erina Commerce 1 Istog” duke i faturuar të njëjtit vlera të ndryshme të faturës dhe atë vlerë më të ulët me qëllim që vetes t’i sjell përfitim nga shitja e mallit, me ç’rast kishte përvetësuar 119.03 euro.

Me këtë aktakuzë, Idriz Shala, si punëtor i “Buçaj”, akuzohet se gjatë shitjes së mallit pretendohet se kishte përvetësuar shumën e të hollave prej 8.58 euro dhe i kishte shkaktuar dëm kompanisë, ndërsa i akuzuari Liridon Vitija pretendohet se gjatë punës së tij kishte përvetësuar 10.13 euro.

Ndërsa, i akuzuari Muharrem Gashi, i cili gjendet në arrati, sipas prokurorisë thuhet se duke punuar në kompaninë “Buçaj”, kishte përvetësuar kundërligjshëm 32.89 euro. /Betimipërdrejtësi