Apeli vërteton pafajësinë e ish-policit të akuzuar për ndërhyrje në tiketat kundërvajtëse

Gjykata_Apelit-620x275
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Nëntor 29, 2019

Prishtinë- Gjykata e Apelit e ka vërtetuar pafajësinë e ish-policit të akuzuar për ndërhyrje në tiketat kundërvajtëse, Lulzim Gashi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 31 maj 2019, e kishte liruar nga akuza për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, ish-zyrtarin e Policisë së Kosovës, Lulzim Gashi, me arsyetimin se nuk ishte arritur të vërtetohet se ai ka kryer veprën penale për të cilën akuzohej, raporton “Betimi për Drejtësi”

Tetë muaj më vonë, Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke refuzuar  si të pabazuar ankesën  e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Kjo e fundit, e pakënaqur me aktgjykimin e shkallës së parë, brenda afatit ligjorë kishte ushtruar ankesë për shkak të vërtetimit të gabueshëm dhe jo të plotë të gjendjes faktike si dhe vendimit mbi shqiptimin e dënimit.

Ajo kishte propozuar që Gjykata e Apelit aktgjykimin e atakuar ta ndryshojë, ashtu që të akuzuarin ta shpall fajtor për veprën penale me të cilën akuzohej apo lëndën ta kthej në rigjykim dhe rivendosje.

Por, Gjykata e Apelit, kishte gjetur se ankesa e Prokurorisë është e pabazuar, me arsyetimin se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i pandehuri është kryerës i veprës penale në fjalë.

“Sipas vlerësimit të Gjykatës së Apelit pretendimet e mësipërme ankimore nuk janë të bazuara. Faktet vendimtare që i ka vërtetuar gjykata e shkallës së parë me asgjë nuk vihen në dyshim. Në rastin konkret, as me ankesë nuk vihet në dyshim konkludimi i gjykatës së shkallës së parë, nuk ofrohet asnjë provë, asnjë fakt që do të shpinte në konkludimin se i akuzuari Gashi, është kryes i veprës penale që i vihet në barrë” thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, aktakuzën ndaj Lulzim Gashit, për shkak të veprës penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar”, e kishte përpiluar me 30 shtator 2014.

Sipas prokurorisë, Gashi nga janari e deri në korrik të vitit 2014, në cilësinë e zyrtarit policor në Njësinë për Kontrollimin e Autostradave, me qëllim që t’i sjellë dobi pasurore personit tjetër, kishte ndërhyrë drejtpërdrejtë në fletë paraqitje për kundërvajtje dhe atë duke bërë ndërhyrje dhe duke ndryshuar destinacionin e tiketave nga dënimi për gjykatë në dënim në të holla prej 35 euro.  /Betimipërdrejtësi